Ekonomia e Kosovës, e pashpresë
Prishtinë, 6 nëntor - Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar se gjendja e ekonomisë së Kosovës është e pashpresë si rezultat i efekteve të krizës politike. Sipas tij, mosrealizimi i investimeve kapitale të parapara për vitin 2014 ka rënduar pozitën financiare të sektorit privat.
Kreu i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se nuk është sekret të thuhet se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të mbështetet në potencialet tona reale, që janë burimet natyrore minerare dhe potencialet natyrore për zhvillimin e bujqësisë.
Promovimi i rezervave të thëngjillit nuk ka as edhe një vlerë në rrethana kur ne nuk prodhojmë energji të mjaftuar elektrike, as për nevojat e vendit tonë dhe në rrethana kur mbesim të varur nga importi i energjisë. Nuk ka as edhe një kuptim që, me gjithë rezervat e shumta të linjitit, ne paguajmë një energji elektrike me një çmim të lartë.
As promovimi i Kosovës si vend me sipërfaqe të shumta të tokës bujqësore nuk ka kuptim në rrethana kur artikujt ushqimorë mbesin në mesin e mallrave më të importuara nga vendet e tjera. E tërë kjo situatë tregon se sa shumë para eksportohen nga Kosova, ka thënë Zeka.
Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, në këtë intervistë për gazetën Epoka e re ka deklaruar se gjendja e ekonomisë së Kosovës është e pashpresë si rezultat i efekteve të krizës politike. Sipas tij, mosrealizimi i investimeve kapitale të parapara për vitin 2014 ka rënduar pozitën financiare të sektorit privat. Informatat që marrim nga bizneset sugjerojnë pezullim të investimeve të tyre për shkak të pasigurisë që sjell kriza politike. Aq më shumë kjo pasiguri, si faktor i rëndësishëm në mjedisin e të bërit biznes, ka ndikuar edhe në një fluks më të ulët të investimeve të huaja, ka thënë ai.
Ndërkaq sa i përket çështjes së buxhetit të miratuar nga Qeveria e Kosovës, Zeka ka thënë se fjalën e fundit për përmbajtjen e Ligjit mbi Buxhetin e vitit 2015 do ta japin qeveria e re dhe Kuvendi i Kosovës.