Ekonomia e Eurozonës vazhdon të tkurret
Frankfurt, 15 gusht - Dy ekonomitë më të mëdha të Evropës, Gjermania dhe Franca arrijnë ti shmangen recesionit, por të dhënat e publikuara të martën tregojnë se prodhimi i përgjithshëm kombëtar në bllokun me 17 vende u tkurr me 0.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Shifrat e reja nga agjencia evropiane e statistikave, Eurostat, tregojnë se ekonomitë e vendeve të eurozonës dhe të Bashkimit Evropian u tkurrën me 0.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit. I vetmi lajm i mirë erdhi nga Gjermania dhe Franca.
Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, shënoi një rritje modeste prej 0.3 për qind.
Ekonomia e dytë e Evropës, Franca, ndonëse pritshmëria ishte që të binte në recesion, arriti ta shmangë këtë. Për të tretin tremojur radhazi, ekonomia franceze shënon një rritje prej zero për qind.
Një ekonomi quhet e përfshsirë nga recesioni kur shënon rritje negative në dy tremujor radhazi.
Shumica e qeverive evropiane kanë zbatuar shkurtime jopopullore shpenzimesh në përpjekje për të ulur deficitet, por masat e ashpra financiare kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik.
Duke folur në radion franceze, Ministri francez i Ekonomisë dhe Financave Pierre Moskovici shprehu një optimizëm modest për këto statistika.
Ka disa shenja inkurajuese, duke përfshirë një përmirësim të vogël në investime.