Ekonomia e eurozonës rritet përtej parashikimeve
Bruksel, 10 shtator - Ekonomia e Eurozonës është rritur përtej parashikimeve në gjysmën e parë të vitit, pavarësisht paqartësive ekonomike në rritje anembanë botës. Ky zhvillim komentohet si një tregues i aftësisë së eurozonës për ti rezistuar krizës në Greqi.
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) ka revizionuar sërish të dhënat e rritjes ekonomike, që janë publikuar më parë në lidhje me 3-mujorin e parë dhe të dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave të reja, blloku 19-anëtarësh i eurozonës është rritur me 0,5% në çerekun e parë të 2015-s dhe 0,4% në çerekun e dytë.
Këto shifra nënkuptojnë se niveli i rritjes ekonomike të eurozonës në 6-mujorin e parë të vitit 2015 ka rezultuar më i lartë sesa parashikimet.
Zhvillimi në fjalë vlerësohet si një tregues i rëndësishëm i aftësisë së eurozonës për ti rezistuar krizës greke.
Sakaq, rritja ekonomike e 3-mujorit të parë të 2015-s spikat si niveli më i lartë i regjistruar gjatë 4 viteve të fundit në eurozonë.