Ekonomia e BE-së tkurret me 3,5% në çerekun e parë të vitit 2020
Bruksel, 1 maj - Ekonomia e Bashkimit Evropian në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar një rënie me 3,5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) publikoi të enjten të dhënat paraprake lidhur me normat e rritjes për çerekun e parë të vitit 2020 në BE dhe në Eurozonë.
Sipas Eurostat-it, prodhimi i brendshëm bruto në bllokun 19-anëtarësh të Eurozonës gjatë tremujorit të parë të 2020-s ka rënë me 3,8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm.
PBB-ja e Eurozonës për çerekun e parë të këtij viti është tkurrur me 3,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Ndërsa PBB-ja e korrigjuar nga efektet sezonal në BE për tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar një rënie me 3,5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ndërsa në bazë vjetore është tkurrur me 2,7%, rënia më e mprehtë që nga çereku i tretë i vitit 2009, në mesin e pandemisë COVID-19.