Ekonomia dhe dollari amerikan shënojnë rritje
Washington, 26 mars - Ekonomia e SHBA aktualisht është më e fortë se ekonomitë e çdo vendi tjetër konkurrues në botë dhe si rezultat, muajve të fundit dollari amerikan ka shënuar rritje të vlerës në nivele të papara tash disa vjet.
Ndërkohë, valuta e 19 vendeve të Bashkësisë Evropiane dhe e Kosovës, Euroja ka shënuar uljen më të madhe që nga shtatori i vitit 2003 kundrejt dollarit amerikan. Dollari Amerikan është rritur edhe në krahasim me Jen-in Japonez.
Një Euro po i afrohet këmbimit $1,05 dollar dhe nga fundi i muajit të ardhshëm ekspertët parashohin barazimin me dollarin amerikan.
Si rezultat i këtij pariteti, kësaj pranvere dhe gjatë verës priten udhëtime të shumta të amerikanëve për pushime evropiane, përfshi edhe shqiptaro-amerikanët drejt vendit të tyre në Ballkan.
Mirëpo kjo do të reflektohet keq tek industria e turizmit në Amerikë, sepse do të jetë më shtrenjtë për evropianët të udhëtojnë këtej Atlantikut. Rënia e Euros po u shkakton kokëçarje edhe kompanive amerikane të cilat bëjnë biznes jashtë vendit.
Gjatë dekadës së fundit, për shkak të forcës së Euro-s mbi dollarin, shumë gjëra ushqimore, elektronike dhe të veshmbathjes ishin më të shtrenjta në Evropë se në Shtetet e Bashkuara.
Optimistët e rënies së mëtejme të Euro-s, në dritë të krizës ekonomike që po kalojnë disa vende evropiane përfshi parabankrotimin e Greqisë, parashohin rënien e Euro-s nën vlerën e dollarit duke përkujtuar startin e tij në vitin 2000 kur një Euro nuk bënte më shumë se 0,83 cent amerikan. Sidoqoftë, edhe me vlerën që ka sot Euro mendohet se është e mbivlerësuar.