Ekonomia britanike në recesion
Londër, 26 prill - Ekonomia britanike rikthehet në recesion pas një tkurrje prej 0.2 përqind në 3-mujorin e parë të 2012-s.
Zyra Kombëtare e Statistikave në Londër deklaroi se rënia në sektorin e ndërtimit ishte faktori kyç që ka ndikuar në këtë panoramë.
Të dhënat e publikuara të mërkurën janë një vlerësim fillestar dhe do të jenë subjekt i rivlerësimeve në muajt në vijim.
Të ardhurat nga industria e prodhimit janë me 0.4 përqind, ndërtimet janë reduktuar me 3 përqind dhe të ardhurat nga shërbimi në këtë sektor kanë pësuar një rënie prej 0.1 përqind.
Në raportin e Zyrës së Statistikave shkruhet se shkurtimi i fondeve për investime publike, ka ndikuar në rënien e pasqyruar në sektorin e ndërtimit.
Të dhënat e fundit mbështesin pikëpamjet se ekonomia britanike në 3 muajt e fundit ka qenë e brishtë.
Që nga nisja e krizës globale, ekonomia britanike është lëkundur mes tkurrjes dhe rimëkembjes, megjithatë mbetet një ndër ekonomitë më pak të prekura nga kriza, ndërkohë që Banka e Anglisë paralajmëroi se zig-zaget e ekonomisë do të vazhdojnë edhe për këtë vit.