Ekonomia amerikane shton vendet e punës
Washington, 7 gusht - Sipas raportit më të fundit për vendet e punës në SHBA, sektori i ndërtimit pati rritje të qëndrueshme gjatë muajit korrik.
Ekspertët e industrisë thonë se vendet e punës në sektorin e ndërtimit janë në nivelin më të lartë që nga viti 2008, përpara fillimit të krizës financiare.
Në disa pjesë të SHBA-së, ndërtimi ka marrë hov aq të lartë saqë punëdhënësit e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë të kualifikuar.
Aty ku ka projekte ndërtimi, si në Uashington, ka edhe vende pune. Por, me zhvillimin që po merr ndërtimi në qytetet kryesore, kërkesat për punëtorë mezi plotësohen.
Krye-ekonomisti i shoqatës së kontraktorëve thotë se punësimi në ndërtim po rritet dy herë më shumë se sektorët e tjerë.
Por, industria rrezikon të ngecë për shkak se nuk ka mjaftueshëm punëtorë të kualifikuar për të kënaqur kërkesat e këtij sektori.
Pas krizës së vitit 2008, shumë projekte ndërtimi u pezulluan.
Shumë njerëz i lanë vendet e punës dhe u punësuan në industri të tjera. Tani është vështirë të gjenden punonjës të rinj, thotë eksperti Gus Faucher.
Megjithë rritjen e punësimit në ndërtim, sektori ende nuk ka arritur nivelin e vitit 2006. Sektori po përpiqet shumë të tërheqë punonjës.
Po bashkëpunojmë me shkollat dhe komunitetet për të ofruar arsim teknik. Ata që diplomohen po punësohen nga këto projekte.\', thotë Ken Simmons, i Shoqatës së Kontraktorëve të Amerikës.
Krahas ndërtimit, punësimi është rritur pothuajse në të gjithë sektorët e tjerë, me përjashtim të minierave.
Sipas ekspertit Gus Faucher, ddërtimi u zgjerua me ngritjen e shtëpive të reja. Gjithashtu ka marrë veten sërish manifaktura, industria konsumatore, arsimi, shëndetësia, industria ushqimore, hoteleria, shitjet dhe sidomos shërbimet e biznesit.
Shifrat e reja të punësimit u mirëpritën në Wall Street. Së bashku me rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, analistët thonë se shtimi i këtyre 255 mijë vendeve të punës është dëshmi e qartë e stabilitetit të ekonomisë amerikane.