Ekonomia amerikane shton 209 mijë vende pune në korrik
Washington, 5 gusht - Ekonomia amerikane pati 209 mijë vende pune më tepër në korrik, ndërsa ritmi i papunësisë ra në 4.3 për qind. Kjo është shifra më e ulët e papunësisë në 16 vjet.
Në raportin e së premtes të Departamentit të Punës thuhet se ka patur një shtim të vendeve të punës në restorante, shërbimet e biznesit dhe në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Paga mesatare e punës u rrit 9 centë më tepër në orë në muajin korrik, duke kapur shifrën 26.36 dollarë në orë. Kjo është 65 centë më tepër se vitin e kaluar, ose një rritje prej 2.5 për qind.
Por ndërsa raporti më i fundit për papunësinë tregon se ka patur një shtim të konsiderueshëm të numrit të vendeve të punës dhe rritje të pagës, ai tregon gjithashtu se 7 milionë amerikanë mbeten ende të papunë dhe 5,3 milionë të tjerë që duan punë me orar të plotë, mund të gjejnë vetëm punë me orar të reduktuar.
Presidenti Donald Trump komentoi për raportin e Departamentit të Punës në Twitter; ai i cilësoi shifrat qeveritare të punësimit “të shkëlqyera” dhe shtoi se pakësimi i rregullatorëve ka ndihmuar në shtimin e vendeve të punës.
Gjatë fushatës elektorale, kur niveli zyrtar i papunësisë ishte rreth 5 për qind, në atë kohë kandidati Trump, i pati quajtur shifrat e punësimit “të rreme” dhe se ato nuk duheshin besuar.
Ai këmbënguli atëherë se ritmi aktual i papunësisë ishte shumë më i lartë, ndoshta në nivelin 42 për qind.