18 Nëntor 2024

Ekonomia amerikane shton 209 mijë vende pune

Washington, 3 gusht - Raporti i fundit i punësimit tregon se ekonomia amerikane po rritet me një ritëm të qëndrueshëm, duke shtuar 209 mijë vende pune në korrik.

 

Ky është muaji i gjashtë me radhë që ekonomia shton mbi 200 mijë vende pune. Ekonomistët besojnë se për të ulur shkallën e papunësisë ekonomia duhet ta ruajë këtë nivel të shtimit të vendeve të punës.

Ekonomia amerikane vazhdon të përmirësohet pas një fillimi të dobët këtë vit, duke shënuar një rritje të mirë në krijimin e vendeve të punës. Administrata thotë se kjo nuk ishte e papritur. Dje, Presidenti Barak Obama tha se vendimet e vështira që ai ka marrë po sjellin rezultate.
 
\"Gjatë vitit të kaluar, ne kemi shtuar më shumë vende pune se çdo vit që nga 2006-a. Biznesi ka krijuar 9.9 milionë vende të reja pune gjatë 53 muajve të fundit. Kjo është rritja më e madhe pandërprerje e vendeve të punës nga sektori privat në historinë tonë\".

Por kjo nuk mjaftoi për të ulur shkallën e papunësisë, e cila u rrit 0.1 përqind në korrik duke arritur në 6.2 përqind. Ekonomisti Sean Snaith thotë se kjo nuk është domosdo diçka e keqe.

\"Njerëzit e shohin se bizneset po punësojnë me një ritëm më të shpejtë, ata ndihen më të sigurt se do të jenë në gjendje të gjejnë një vend pune. Prandaj, ata po rikthehen në tregun e punës, duke forcuar fuqinë punëtore dhe duke bërë që shkalla e papunësisë të rritet\".

Amerikanët të cilët nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive nuk llogariten si të papunë.

Kjo ka sjellë nivelin më të ulët në 35 vjet të shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës. Kjo do të thotë se miliona amerikanë të papunë të cilët kanë hequr dorë nga përpjekjet për të gjetur punë vazhdojnë të mos jenë aktivë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për 3.2 milionë amerikanët, të cilët kanë qenë të papunë për 27 muaj ose më gjatë, thotë profesorja Sharon Poczter.

\"Niveli i papunësisë afatgjatë është më i larti që nga Depresioni i Madh Ekonomik.\"

Ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës është rritur pak, përparimi në nivelin e punësimit ende nuk ka patur ndikim në rritjen e pagave për shumicën e amerikanëve. Shifrat kryesore tregojnë se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane më në fund po merr vrull, pesë vjet pas krizës financiare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)