Ekonomia amerikane rritet me ritme më të shpejta
Washington, 27 shkurt - Ekonomia amerikane u rrit me ritme më të shpejta se çishte menduar në tre mujorin e fundit të 2015. Megjithatë, ritmet e rritjes mbeten të dobëta.
Departamenti i Tregtisë nxori sot një raport ku thotë se gjatë tre mujorit të fundit të 2015, prodhimi i brendshëm bruto u rrit 1% në ritme vjetore. Ekspertët fillimisht e kishin përllogaritur rritjet e GDP-së pak më të ulët, por pas rishikimit të të dhënave të plota u bë korigjimi i shifrave.
Një këshilltar ekonomik i Shtëpisë së Bardhë tha se forcimi i dollarit i ka bërë eksportet amerikane më të shtrenjta. Kjo i bën mallrat amerikane më pak tërheqëse për tregjet e huaja.
Gjatë gjithë vitit 2015, ekonomia amerikane u rrit 2.4%. Shumë analistë thonë se rritja ka të ngjarë të përshpejtohet këtë vit, pasi konsumatorët pritet të tregohen më optimistë në aktivitetin ekonomik si rezultat i përmirësimit të tregut të punës dhe çmimeve të ulta të naftës.