Ekonomia amerikane po rritet më shpejt nga sa mendohej
Washington, 29 dhjetor - Ekonomia amerikane po rritet më shpejt nga sa mendohej. Departamenti i Tregëtisë publikoi vlerësimin e tij përfundimtar të Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë, ku thuhet se ekonomia u zgjerua me një ritëm vjetor prej pesë përqind nga korriku deri në shtator. Arsyeja?
Konsumatorët ndihen më mirë për ekonominë. Dhe kjo ndjenjë duket se do të vazhdojnë në vitin 2015.
Ekonomia amerikane u rrit me ritmin më të shpjetë që nga viti 2003, nxitur pjesërisht nga rritja e shpenzimeve të konsumatorëve dhe bizneseve. Analistët thonë se kjo nuk është rastësi por shenjë për gjërat që do të vijnë. Brad McMillan me kompaninë Commonwealth Financial Network, foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.
Ky është ritmi më i shpejtë i rritjes besoj në 11 vjet. Kjo do të thotë se po i afrohemi, nuk do të thosha një bumi, por patjetër një rimëkëmbjeje të qëndrueshme që po merr shpejtësi.
Për tregjet financiare, raporti ishte një dhuratë festash që ndihmoi në ngritjen e indeksit Dow Industrials për herë të parë mbi nivelin 18 mijë pikë. Prodhimi i Brendshëm Bruto, është parametri më i gjerë i shëndetit ekonomik. Dhe në një vend ku ekonomia nxitet nga konsumi siç janë Shtetet e Bashkuara, ekonomisti Michael Gapen i firmës Barclay Capital thotë se ka ardhur koha që bizneset të përgjigjen.
\"Dy të tretat e ekonomisë amerikane lidhen me konsumin dhe historia tregon se investimet në biznes kanë boshllëqe kur bëhet fjalë për konsum. Pra në se ekonomia në përgjithësi fillon të shpejtohet, atëherë 2015-a mund të jetë gjithashtu një vit i mirë biznesi.\"
Por faktorë të jashtëm mund të kenë ndikim në ekonominë amerikane. Mes tyre, pakësimi i të ardhurave në vendet e prodhimit të naftës dhe ulja e rritjes në vende të tjera, thotë analisti Claes Bell i firmës Bankrate.com.
Ka disa rreziqe modeste mbi ekonominë. Shumë nga partnerët tregëtarë kanë ulje të ritmit ekonomik kështu që eksportet tona mund të mos jenë siç ishin në fillim të vitit.
Rritja më e shpejtë në SHBA mund të çojë në rritjen e çmimeve. Kjo do të thotë inflacion më i lartë thotë analisti Brad McMillan.
Së pari rritja e pagave do të shpejtohet. Së dyti, kostoja e strehimit është një pjesë e madhe e indeksit të inflacionit dhe ajo aktualisht rritet më shpejt nga sa e kuptojnë njerëzit.
Inflacioni amerikan ka qënë shumë më poshtë objektivit prej dy përqind të Bankës Qendrore. Por disa thonë se rritja e pritshme dhe rritja e shpenzimeve të konsumatorëve mund të bëjë që Banka Qendrore të rrisë interesat më herët sesa mesi i 2015-ës që kanë parashikuar ekonomistët.