Ekonomia amerikane do të krijojë mbi 5 milionë vende pune
Washington, 23 nëntor - Sipas një raporti të ri, ekonomia amerikane do të rritet në mënyrë të qëndrueshme në dy vitet e ardhshme dhe do të krijojë mbi 5 milionë vende pune.
Ky parashikim vjen nga eksperti i ekonomisë i Universitetit të Michiganit Daniil Manaenkov dhe kolegët e tij.
Ata thonë se rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara do të arrijë në 2,7 për qind në vitin 2014 dhe do të përshpejtohet më tepër më 2015.
Papunësia në Shtetet e Bashkuara tani është pak më tepër se 7 për qind, por studjuesit parashikojnë se kjo shifër do të bjerë në rreth 6 për qind në dy vitet e ardhshme.
Ndërkohë, analistët e bankës Credit Suisse thonë se rritja ekonomike globale po përgatitet të fuqizohet, por mbetet e ngadaltë dhe e paqëndrueshme.
Por ish-kryeministri britanik Sir John Major, i cili është këshilltar në Bankën Zvicerane, thotë se ekonomia amerikane do të rritet më me shpejtësi se ekonomitë e vendeve të tjera të zhvilluara.