Ekonomia 2015 me sfida dhe ngecje
Prishtinë, 2 janar - Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2015 është përballur me probleme të natyrave të ndryshme.
Shumë pengesa u shfaqën në pjesën dërrmuese të të gjithë sektorëve, të cilët janë shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe krijimit të mirëqenies së qytetarëve të saj. Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se ka pasur rritje ekonomike dhe investimet, qoftë vendore apo të huaja, u shtuan. Ky vlerësim nuk u përkrah shumë nga aktorët e tjerë, të cilët vlerësuan se Kosova ka pasur ngecje në zhvillim ekonomik. Sipas Qeverisë, një problem që mund të ketë ndikuar në ngecje dhe në ndryshim të imazhit për investimet dhe zhvillim më të madh ekonomik në vend ka qenë situata politike, konkretisht gazi lotsjellës në Kuvend.
Por, opozita dhe analistë të ndryshëm fajin për moszhvillim më të madh ekonomik e hedhin te qeverisja e vendit, e cila, sipas tyre, ka shumë të meta, duke filluar nga korrupsioni që i dekurajon bizneset e huaja që ta zgjedhin Kosovën si vend për investime. Qeveria ka vlerësuar se ka pasur ecje të mirë në sektorë të ndryshëm. Projekti më i madh thuajse i finalizuar ishte ai i Termocentralit Kosova e Re.
Në dhjetor u arrit marrëveshja për ndërtim të Termocentralit Kosova e Re me kompaninë amerikane Contour Global, e cila u përkrah dhe u përmend në vizitën e bërë në Kosovë të sekretarit John Kerry. Marrëveshja parasheh të ndërtohet një termocentral prej 500 megavatësh në vlerë investuese prej rreth një miliard eurosh, ndërkohë që investitori premtoi punësim të mbi 10 mijë personave në ndërtim dhe 400 të përhershëm. Kjo u kundërshtua nga një pjesë e shoqërisë civile, të cilët thanë se me këtë vendim do të bëhen çmimet e energjisë të papërballueshme. Zgjidhja e këtij problemi u bë urgjente për shkak të rënieve të shpeshta të blloqeve të vjetra të KEK-ut. Nga frika e eskalimit të situatës, Qeveria ndërhyri për të mos lejuar rritjen e sërishme të çmimit të energjisë.
Në energjetikë Kosova eci një hap përpara në përfundimin e linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, ndërsa mori masa për uljen e konsumit të energjisë në institucionet publike, si dhe nisi prodhimin e megavateve të parë të energjisë nga dielli, shkruan gazeta \'Epoka e re\".
Mbi 800 mijë euro llogaritet të jetë borxhi i akumuluar nga interesi për shkak të mospagesës me kohë të tatimeve nga bizneset, ndërsa ai i Brezovicës u shty për në muajin maj. Serbia, si në shumë sektorë të tjerë, solli probleme të shumta edhe në ekonomi, por mbeti partnerja kryesore tregtare e Kosovës për import dhe eksport. Në vend të uljes së shifrave të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, rritjes së shkeljeve i kontribuoi edhe sektori publik nëpërmjet konkurseve të hapura. Megjithatë, u ulën lëndimet me fatalitet dhe ato të lehta. Në vitin 2015 për Trepçë-n nuk ishte vit i mirë. Qeveria e vendit në këtë vit deshi që këtë ndërmarrje ta kthente në publike, por dështoi për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, por edhe mosrregullimit të disa ligjeve të cilat bëjnë që ky gjigant të funksionojë në kuadër të AKP-së. Ky problem u shndërrua më shumë në problem politik, pasi kishte zëra se mund të ketë edhe bisedime për të në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi.
Në bisedimet në Bruksel, përpos çështjeve të shumta politike, u arritën edhe marrëveshjet për çështje ekonomike. U morën vesh për formimin e një kompanie të telefonisë mobile dhe fikse serbe për tia lejuar Kosovës ta marrë kodin e shumëdëshiruar ndërkombëtar. U lejua formimi i një operatori për shpërndarje të energjisë në veri. Gjasat janë të formohet edhe një operator për transport hekurudhor.
Përpos nënshkrimit, serbët ende nuk kanë formuar asnjërën. Kosova po pret ta marrë kodin vitin që po hyjmë. Investimet e jashtme për Kosovën, edhe këtë vit, sikur në vitet e tjera, ishin sfiduese. Mërgimtarëve me remitancat e tyre, përpos blerjes së patundshmërive, nuk iu dha mundësia në investime të tjera. Ndërkaq investitorët e huaj u stepën për shkak edhe të paqëndrueshmërisë politike. Paratë e remitancave për ekonominë e Kosovës më shumë janë shfrytëzuar për konsum.
Edhe këtë vit Qeveria e vendit dhe aktorët e tjerë nuk arritën ta japin ndonjë ide për ta pasur një plan se si të shfrytëzohen këto mjete, të cilat mund të jenë burim i mirë i zhvillimit dhe kanalizimit të tyre në projekte të mëdha zhvillimore. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, edhe këtë vit remitancat e sjella në Kosovë kapën vlerën prej 600 milionë eurosh, por këto shifra nuk janë shumë të sakta, pasi këto mjete janë vetëm të deklaruara.
Dy partitë në pushtet, PDK-ja dhe LDK-ja, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014, kishin premtuar qindra mijëra vende pune. Opozita dha kritika për këtë, duke ia veshur Qeverisë dështimin për punësimin dhe përmbushjen e premtimeve zgjedhore.
Me një vendim të nxjerrë nga Ministria e Financave, me të cilën ulen normat e interesit në dënime, pritet që vlera e përfitimeve për bizneset të arrijë deri në mbi 200 mijë euro.
Një arritje pozitive gjatë këtij viti ka qenë falja e borxheve. Nga shumëkush ky vendim mori nota pozitive dhe negative. Përkrahësit e këtij vendimi, duke përfshirë edhe Qeverinë, vlerësuan se ky vendim është i mirëseardhur, pasi krijon një mundësi për një fillim të ri të jetës në Kosovë. Në janar Qeveria mori vendim për faljen e borxheve nga 1999 deri më 2008, por me kushtin që pjesa tjetër deri më 2014 të paguhet.
Një problem që u quajt më shumë ekonomik, në këtë fillimvit ndodhi kur shumë qytetarë të Kosovës ikën drejt vendeve evropiane. Nga të ikurit kishte edhe nga ata që punonin në ndërmarrjet e ndryshme të vendit dhe kishin paga mbi 500 euro.
Gjithashtu, Qeveria nxori vendime për ulje të shpenzimeve në dreka e darka dhe në vetura. Për të parat kishte pak lëvizje, ndërsa për veturat ato vazhduan të keqpërdoren ditë e natë, madje Qeveria vendosi ti shesë shumë të tilla, por lejoi edhe shumë të tjera të blihen në vitin 2016.
Në fushën e infrastrukturës rrugore kishte arritje. U përurua një pjesë e autostradës Arbën Xhaferi, që lidh Shkupin me Prishtinën. Vazhduan punimet për ndërtimin e saj, njëjtë edhe kjo u dëmtua nga vjedhjet. Ministria e Infrastrukturës po pret që një autostradë tjetër, që përfshinë Gjilanin deri në Dheun e Bardhë, ta ndërtojë në vitet e ardhshme. Në fushën hekurudhore kjo ministri arriti marrëveshje me BERZH-in për rehabilitimin e të gjithë hekurudhës. Kjo hekurudhë, që është e gjatë mbi 140 km, do ti lidhë skajet e Kosovës nga Hani i Elezi në kufi me Serbinë, ndërsa me probleme gjyqësore u përball në dy magjistralet Prishtinë - Pejë, Prishtinë - Mitrovicë.
Telekomi i Kosovës - VALA - në këtë vit pati ndryshime shumë të mëdha pozitive, duke e ndalur rënien që e kishte pasur në vitet e fundit. Kryeshefi i ri, Agron Mustafa, bëri që kjo kompani të ndryshojë imazh për të mirë. Po kjo ndërmarrje nuk u privatizua, sepse po pritet të nisë një proces gjyqësor në gjykatat e arbitrazhit, pasi konsorciumi gjerman Axos po kërkon qindra milionë euro dëmshpërblim. Edhe kompania IPKO solli shumë oferta të ndryshme, duke bërë që konsumatorët e saj ti mbesin besnikë.
Kompania tjetër e telefonisë mobile Z Mobile krijoi mundësi dhe oferta të volitshme për konsumatorët e saj. Posta e Kosovës pati sukses duke e paguar faturën e njëmiliontë.
Edhe këtë vit ndërmarrjet e privatizuara u përballen me shumë probleme, qoftë të trashëguara apo probleme të reja. Përpos kthimit nën menaxhim të AKP-së të Grand Hotel-it, në AKP u kthye edhe miniera e Goleshit për shkak të dështimit në investime. Shumë të tjera si Llamkosi apo FAN-i i Besianës u morën nga bankat për shkak të pamundësisë së pagesës së këstit të kredisë.
Një problem që ka më shumë se një vit lidhet me punëtorët e Fabrikës së Tubave nga Ferizaj. Ata para Qeverisë po vazhdojnë të qëndrojnë në një grevë maratonike, duke kërkuar respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk ia arritën qëllimit. Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit vazhdoi ndarjen e subvencioneve dhe të granteve, si dhe shtoi mbështetjen edhe për sektorë që nuk ishin pjesë e mbështetjes në vitet e mëhershme.
Gjatë 2015 kishte premtime se Kosova do të anëtarësohej në Kartonin e Gjelbër, por një vendim pozitiv për këtë vit ishte ai që u përgjysmua sigurimi për mërgimtarët.
Vendimi i Qeverisë për lirimet tatimore u zëvendësua me mbushjen e buxhetit nga lejimi i importimit të veturave më të vjetra se 13 vjet. Qeveria mori vendim për shkallëzimin e TVSH-së në produkte, mirëpo kjo vazhdoi të mos e arrijë ndikimin e saj të pritur për shkak të hezitimit të shitësve që ti ulin çmimet, ndërsa për ato që u rrit TVSH-ja, i rritën menjëherë.
Hapja e tregut për një numër profesionesh në shtetet gjermano-folëse ka mbushur qendrat e ndryshme që ofrojnë mësim të kësaj gjuhe.
Bankat gjatë gjithë vitit performuan mirë. U rrit numri i bankave, ndërsa ato vazhduan ta rrisin portofolin e kredive, por edhe uljen e normave të interesit, mesatarja e të cilave arriti në 7%. Pas privatizimit, blerësi i Distribucionit dhe Furnizimit (KEDS) vazhdoi investimet në rrjet, por edhe në vendosjen e orëve nëpër shtylla, pavarësisht se shumë kryetarë të komunave dhe qytetarë nuk ishin pro një veprimi të tillë.
Aeroporti i Prishtinës në këtë vit e theu rekordin e bartjes së udhëtarëve, por një problem që çdo fundvit e ka ANP-ja ka të bëjë me mjegullën. Një investim i Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e pistës do të bënte që të zgjidhet ky problem që i shkakton humbje jo vetëm ANP-së, por edhe qytetarëve të Kosovës dhe atyre që udhëtojnë nga ky aeroport.