Ekipet e Bankës Botërore në dispozicion të Qeverisë së Kosovës
Prishtinë, 14 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim njoftues drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein dhe menaxherin për Kosovë, Jan-Peter Olters.
Në këtë takim u diskutuan marrëdhëniet e Kosovës me Bankën Botërore edhe nga pikëpamja historike, duke u theksuar përkrahja e vazhdueshme që Kosova ka marrë nga Banka Botërore, me theks të veçantë në sektorin e energjisë.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës, përveç krijimit të kapaciteteve të reja energjetike, ka në vëmendje të veçantë edhe krijimin e kushteve për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës në konsum të energjisë dhe mbrojtjen e ambientit.
Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa theksoi se plani për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese i përmbushë të gjitha kriteret moderne sa i përket mbrojtjes së ambientit.
Përveç kësaj, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e njoftoi drejtoreshën e Bankës Botërore mbi hapat konkret që janë ndërmarrë gjatë viteve të fundit në fushën e energjisë, duke përfshirë këtu Ligjin mbi ndërtimet i cili parasheh rritje të efiçiencës në vend për konsum të energjisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua ndihma që Banka Botërore i ka dhënë Kosovës në sektorin e energjisë, ku znj. Goldstein theksoi Strategjinë për Energji e cila ka në fokus krijimin e kapaciteteve për energji të ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës, reformën në sektorin e distribuimit, sektorin e minierave, kualitetin e ajrit në vend dhe aspekte tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientin në përgjithësi.
Gjithashtu, znj. Goldstein ritheksoi se ekipet e ndryshme të Bankës Botërore janë në dispozicion të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të ofrimit të ndihmës në arritjen e objektivave të saj në këtë mandat.