13 Maj 2024

EFSE do të rrit asistencën teknike për institucionet partnere kredituese

Prishtinë, 21 shtator - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Gani Gërguri me bashkëpunëtorë, takuan Bordin e Drejtorëve të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) , kryesuar nga Monika Beck, Kryesuese e Bordit të Drejtorëve.

Pas takimit në BQK, Drejtorët e EFSE do të vizitojnë degët e institucioneve të ndryshme kredituese partnere në të gjithë vendin, për të fituar njohuri konkrete për realitetin e sektorit financiar Kosovar.

Gani Gërguri, Guvernator i BQK-së, pas theksimit të peformancës së mirë makroekonomike dhe stabilitetit të sektorit financiar të Kosovës, tha se për të \"është një nder i veçantë të mirëpritet në Prishtinë Bordi i EFSE - një institucion që ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit tonë financiar dhe pa të cilin depërtimi i shërbimeve financiare në ekonomi nuk do të kishte thellësinë e njëjtë me atë që e ka sot.\"

Kontributi i EFSE në Kosovë sipas tij ka qenë shumëdimensional, duke filluar nga linjat e kreditit të lëshuara për institucionet e kreditimit, të cilat kanë kontribuar direkt në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, deri te hulumtimet dhe projektet e asistencës teknike të cilat kanë lehtësuar zhvillimin e përgjegjshëm të institucioneve financiare që operojnë në Kosovë.

\"Në këtë drejtim, vlen të theksojmë dy projekte kërkimore në vlerësimin e mbi-ngarkesës me borxhe të klientëve në Kosovë, të cilat kanë ndihmuar edhe BQK-në në vlerësimin e përgjithshëm të rrezikut në sektorin financiar\", ka theksuar Gerguri.

Gjatë këtyre shtatë viteve, BQK sipas tij ka ruajtur rolin e një partneri të ngushtë të EFSE dhe do të vazhdojë të bëjë kështu duke intensifikuar edhe më shumë bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Në këtë drejtim sipas tij BQK planifikon të ndërmarr hapa konkretë drejt lehtësimit të kreditimit të sektorëve më pak të kredituar por të rëndësishëm të ekonomisë, me një fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë, duke iu qasur si anës së ofertës ashtu edhe anës së kërkesës.

\"Në diskutimet tona me përfaqësuesit e EFSE ne kemi theksuar nevojën e rritjes së kapaciteteve për vlerësimin e rrezikut të projekteve bujqësore nga ana e zyrtarëve të bankave si dhe nevojën për të mbështetur kapacitetet planifikuese të bizneseve në anën e huamarrësve bujqësorë\", ka thënë Geguri.

Për më tepër BQK sipas tij planifikon për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e edukimit financiar të publikut, duke krijuar potencialisht një Qendër Këshilluese për Borxhe, e cila do të japë një kontribut të konsiderueshëm në rritjen e vendim-marrjes së përgjegjshme të publikut në lidhje me institucionet financiare dhe anasjelltas.

\"Për të përfunduar, BQK vlerëson lart kontributin e EFSE-së gjatë shtatë viteve të funksionimit të saj në Kosovë dhe do të vazhdojë të mbajë lidhje të ngushta me këtë institucion si nëpërmjet bashkëpunimit me zyrën e saj lokale në Prishtinë dhe gjithashtu përmes pjesëmarrjes tonë të rregullt në takimet e Bordit Këshillues të EFSE-së\".

Monika Beck, Kryesuese e EFSE, mbi planet e ardhshme të EFSE-së për Kosovën: \"Ne shikojmë të ardhmen me besim, me vullnet për të kontribuar në nxitjen e krijimit të vendeve të punës dhe prosperitetit në Kosovë nën frymën e Financimit të Përgjegjshëm.\"

Ajo ka thënë se përveç rritjes së investimeve nga ana e EFSE-së, gjithashtu do të rrisim asistencën teknike dhe programet e trajnimit për institucionet partnere kredituese.

\"Së bashku me mbështetjen e përpjekjeve të Bankës Qendrore në promovimin e zhvillimt të një sektori financiar të shëndetshëm, këto masa do të shërbejnë gjithashtu për të rritur edukimin financiar. Unë jam veçanërisht e kënaqur që Mbledhja e Bordit të EFSE-së do të mbahet në Prishtinë, pasi kjo riafirmon partneritetin tonë të fortë me Kosovën si tërësi dhe me Bankën Qendrore në veçanti\", ka theksuar Beck.
 
Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin e Fqinjësisë së Evropës Juglindore (ENR) të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, IRJ të Maqedonisë, Gjeorgjinë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. 

EFSE, fondi më i madh mikrofinanciar në botë me më shumë se 850 milionë Euro kapital, shërben si një model i i financimit inovativ zhvillimor.

Duke shikuar prapa në gati shtatë vite të bashkëpunimit të ngushtë, të dy institucionet shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar partneritetin e suksesshëm për të avancuar më tej zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës, me veçanti në nxitjen e rritjes së bizneseve mikro dhe të vogla.

Që nga fillimi i veprimit të EFSE-së në Kosovë në vitin 2005, EFSE deri më tani ka investuar më shumë se 63 milionë Euro në institucione partnere të kreditimit, duke lehtësuar më shumë se 66,000 kredi – në vlerë prej 196 milionë Euro - për bizneset mikro dhe të vogla dhe ekonomitë familjare.

Kontribut i veçantë në financimin e portfolios investive në Kosovë është dhënë nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Komisioni Evropian, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA).

Sot, EFSE bashkëpunon me pesë institucione partnere të kreditimit - ndër të cilat banka dhe institucione mikrofinanciare  në Kosovë.

Përveç kësaj, EFSE ofron asistencë teknike për institucionet financiare në Kosovë me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të tyre operacionale.

Mbi 24 projekte në total prej 1.2 milionë Euro janë përfunduar që nga viti 2006, duke përfshirë edhe aktivitetet për promovimin e Financimit të Përgjegjshëm në nivel të sektorit financiar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)