EDI për një vit kontribuon në rritjen e numrit të deklaruesve
Prishtinë 3 maj - Administrata Tatimore e Kosovës, nga 1 Maji i vitit 2012 ka lansuar formatin për përdorim të gjerë (masiv) Sistemin e Deklarimit Elektronik - EDI, përmes së cilit deklarohen 100% e deklaratave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatimit në Paga dhe Kontributeve Pensionale, krahasuar me periudhat e njëjta të një viti më parë, sistemi EDI mundësoi rritjen e numrit të deklaratave: në TVSh për 5.24%, në Tatim në Paga për 8.28% dhe në Kontribute Pensionale për 8.82%.
Ky sistem deri më tani, ka treguar sukses mjaft të madh në ofrimin e lehtësirave për përmbushje vullnetare të obligimeve tatimore, nga ana e tatimpaguesve. Që nga lansimi i EDI-t e deri më tani, janë regjistruar rreth 26 mijë tatimpagues, me gjithsejtë 538,422 deklarata, prej tyre në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar: 103,734, në Tatimin në Paga: 217,343 dhe në Kontribute Pensionale: 217,343.
Shprehur në vlera monetare, vetëm gjatë periudhës Janar- Prill 2013, përmes kësaj forme të Deklarimit Elektronik nga rreth 270 mijë kontribuues, prej të cilëve 230 mijë të punësuar kanë deklaruar Tatimin në Paga dhe Kontributet Pensionale, të cilat kapin shifrat 17 milionë euro Tatim në Paga dhe rreth 36 milionë euro Kontribute Pensionale të cilat janë transferuar në llogarit e Fondit për Kursime Pensionale. Roli i EDI-t në këtë sukses është i veçantë.
EDI, është vlerësuar lart në raportet e fundit ndërkombëtare, si një sistem i cili ofron lehtësira në përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore, njëkohësisht është mirëpritur edhe nga ana e komunitetit të biznesit në Kosovë, si një sistem i cili është në përputhje me praktikat e vendeve evropiane.
Reforma e tillë në Deklarimin e Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale, mundësojë reduktimin e kohës dhe uljen e kostos së shpenzimeve dhe paralelisht me këtë Fondit për Kursime Pensionale i mundësohet që të këtë informacion më të saktë dhe në kohë për kontribuuesit dhe kursimet e tyre pensionale.
Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht është në përpjekje që të ofroj lehtësira më të mëdha për tatimpagues. Aktualisht, ATK ka në përgatitje zgjerimin e sistemit elektronik EDI, ku së shpejti do të mundësoj deklarimin dhe pagesën edhe të disa llojeve tjera të tatimeve. Gjithashtu, ky sistem së shpejti do të ofroj një shërbim të ri elektronik on-line, përmes së cilit do të mundësohet pajisja me Vërtetim tatimor për personat fizikë.
Vërtetimi i lëshuar në formë elektronike nga ATK do të jetë dokument i plotfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, do të mund të verifikohet përmes faqes zyrtare të ATK-së www.atk-ks.org në çdo kohe dhe nga kushdo.
Për të gjithë tatimpaguesit, të cilët ende nuk janë regjistruar në Sistemin Elektronik EDI, Administrata Tatimore e Kosovës, ju bën thirrje që të regjistrohen sa më parë dhe të përdorin këtë sistem për deklarim dhe pagesë të Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale.