Edhe tre të rinj, udhëtojnë në Gjermani me programin "Ausbildung"
Prishtinë, 17 gusht - Ymer Gashi (24), Riad Maloku (22) dhe Ekrem Gjonbalaj (20), janë tre të rinjtë e radhës që kanë udhëtuar në Gjermani, më saktësisht në ndërmarrjen ``Wurm GmbH``, për të vijuar Shkollimin dhe Aftësimin Profesional.
Këta të rinj, janë kontingjenti i dytë që kanë udhëtuar në Gjermani, të përzgjedhur pas nënshtrimit të intervistimit dhe vlerësimit, nëpërmes programit për Aftësim dhe Shkollim Profesional (Ausbildung) të cilin e ka realizuar Oda Ekonomike Gjermano Kosovare.
Nga ky projekt, kanë përfituar edhe një numër i caktuar i të rinjve të cilët gjithashtu do të udhëtojnë së shpejti në ndërmarrjet e caktuara gjermane, për të vijuar ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Ekrem Gjonbalaj, në ``Wurm GmbH``, do të ndjekë programin (shkollim dhe punë praktike) në drejtimin mekanik i Makinerisë, ndërsa Ymer Gashi dhe Riad Maloku, do të vijojnë aftësimin profesional në drejtimin e elektronikës.
Projekti ``Ausbildung`` apo Shkollim dhe Aftësim Profesional, i realizuar nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare dhe i mbështetur nga organizata gjermane ``Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit`` (GIZ), parasheh aftësimin profesional dhe kualifikimet e mëtejmë brenda 3 vjetësh për të rinjtë e Kosovës. Gjatë qëndrimit në ndërmarrjet gjermane me renome botërore, të rinjtë e Kosovës kanë mundësinë e ngritjes së kualiteteve të tyre në fusha të caktuara për t´u certifikuar më pas, me certifikata të njohura ndërkombëtarisht.
Tre të rinjtë, para udhëtimit, janë shprehur shumë të kënaqur për mundësinë që u është dhënë, duke theksuar se rastin e ofruar do ta shfrytëzojnë për të përfituar njohuritë maksimale, që të kenë një profesion të dëshiruar.
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, planifikon që edhe në të ardhmen të realizoj projektin ``Ausbildung``, dhe projekte të ngjashme, në mënyrë që të rinjve të vendit t´u ofrohen mundësi të avancimit profesional në një nga vendet lidere botërore, të ideve, arsimit, shkencës dhe ekonomisë siç është Gjermania.