Edhe pak ditë mund të përfitoni nga shlyerja e borxhit ndaj ATK-së
Prishtinë, 20 qershor - Administrata Tatimore e Kosovës njofton se është duke zbatuar Ligjin Nr.05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike. Ky Ligj është në fuqi vetëm deri më 1 shtator 2017, andaj subjektet që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas këtij Ligji, këtë të drejtë mund ta realizojnë vetëm deri me këtë datë.
Valentina Bytyqi - Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, shprehet se të gjithë personat fizikë dhe juridikë, përveç ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve.
Për të përfituar nga falja e borxheve ndaj ATK-së, tatimpaguesi duhet të kryej pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) për periudhën nga 01 janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014, ose të lidh marrëveshje me ATK, për pagesën e borxheve me këste, për periudhën 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.
\"Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar deri më 01 Shtator 2017, do të përfitojnë nga falja e borxhit\", shprehet Bytyqi-Sefa.
Kërkesa për pjesëmarrje në programin për faljen e borxhit publik, mund të gjendet në zyrën përkatëse regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës.