EC Ma Ndryshe: Komuna e Mamushës të kontrolloj shpenzimet
Prishtinë, 26 korrik - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Mamushës, EC Ma Ndryshe gjatë muajit korrik ka shqyrtuar çështjen e shpenzimeve të bëra nga administrata komunale brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Monitoruesit në saje të kërkesës për qasje në dokumentet publike kanë siguruar raportin financiar gjashtë mujor të komunës së Mamushës, i cili ofron një pasqyrë të përgjithshme mbi të hyrat dhe shpenzimet e komunës.
Pas nxjerrjes së të dhënave, monitoruesit janë konsultuar përsëri me zyrtarët e Drejtorisë së Financave, për të konfirmuar vërtetësinë e të dhënave, të cilat shpalosen më poshtë.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Komuna e Mamushës ka harxhuar mbi 2 mijë e 700 euro për udhëtime jashtë vendit. Shifra e përafërt është edhe e shpenzimeve për drekat zyrtare, ku Komuna ka shpenzuar rreth 2 mijë e 670 euro për këtë destinim.
Komuna në pjesën e parë të vitit 2013 ka harxhuar 3 mijë e 660 euro për karburante të veturave. Shpenzime të konsiderueshme janë bërë edhe për sa i përket telefonisë mobile. Sipas raportit financiar shpenzimet e telefonisë Vala të komunës së Mamushës në 6 muaj kanë qenë 3 mijë e 130 euro.
Ndërkohë shpenzimet e telefonisë fikse janë dukshëm më të ulëta sesa të telefonisë mobile. Për telefoninë fikse (PTK) gjatë kësaj periudhe kohore janë shpenzuar afër 730 euro.
Një e gjetur interesante e monitorimit ka të bëj me mëditjet e udhëtimeve jashtë vendit, gjatë gjashtëmujorit të parë. Përderisa shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit janë të konsiderueshme, mëditjet e marra nga zyrtarët e komunës së Mamushës janë vetëm 160 euro, që duket të jetë një sinjal pozitiv.
Megjithëkëtë, EC Ma Ndryshe ka krahasuar të dhënat financiare edhe me shpenzimet e publikuara për vitet e mëparshme.
Ky krahasim ka nxjerrë në pah faktin se komuna e Mamushës në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar për dreka zyrtare më shumë se dyfishin e mjeteve që kishte shpenzuar gjatë tërë vitit 2012, pra 2 mijë e 670 euro në gjysmën e 2013-ës, përballë 1 mijë e 270 eurove të 2012-ës.
Ndërkaq shpenzimet e karburanteve për vetura janë paksa më ulëta sesa në vitin e kaluar, kur komuna kishte harxhuar për tërë vitin mbi 9 mijë euro për derivate, derisa në pjesën e parë të 2013-ës janë harxhuar 3 mijë e 660 euro.
Përderisa shpenzimet e telefonisë mobile janë në nivel të ngjashëm me atë të vitit të kaluar, te shpenzimet e telefonisë fikse vërehet një dallim i madh. Përderisa në vitin 2012 komuna e Mamushës ka harxhuar afër 4 mijë e 900 euro për telefoninë fikse, në pjesën e parë të 2013-ës ajo ka harxhuar vetëm 730 euro për telefoninë fikse.
Duke i marrë për bazë këto të gjetura, EC Ma Ndryshe rekomandon komunën e Mamushës që të jetë sa më e kujdesshme në shpenzimin e parasë publike, në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe specifikat që i ka Mamusha, si lokalitet.
EC Ma Ndryshe i bën thirrje komunës së Mamushës që kursimin e bërë në telefoninë fikse ta reflektoj edhe në kategoritë tjera shpenzuese.
EC Ma Ndryshe vlerëson se lidershipi komunal duhet të jetë shumë më i kujdesshëm në pjesën e dytë të vitit me shpenzimet për dreka zyrtare. Natyrisht ky parim duhet të aplikohet edhe sa i përket shpenzimeve tjera, të kategorisë së dedikuar për mallra dhe shërbime.