EBA interesohen të investojnë në bujqësi dhe teknologji informative
Prishtinë, 3 nëntor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot përfaqësuesit e një delegacioni të lartë dhe më të madh nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që po qëndron në Kosovë në një mision për tu informuar sa më shumë për Kosovën dhe mundësitë për investim dhe bashkëpunim.
Kryeministri Thaçi e falënderoi në emër të qeverisë si dhe në emër të popullit të Kosovës delegacionin nga EBA për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë popullit të Kosovës, gjatë luftës, pas luftës si dhe tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Thaçi e njoftoi delegacionin për të arriturat e Kosovës në sferën e konsolidimit të shtetit si dhe fokusimin e qeverisë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryesuesi i delegacionit nga Adu Dhabi, Saif Mohamed Al Mazrouei, e lavdëroi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përsëriti gatishmërinë që ky bashkëpunim të zhvillohet edhe më tutje, tash në sferën e ekonomisë dhe investimeve.
Kryeministri Thaçi e ftoi delegacionin që në takimet me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës të zbulojnë sferat ku mund të investohet dhe nga të cilat mund të përfitojnë të gjitha palët.
Përfaqësuesit e delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan Kryeministrin Thaçi për interesimin e tyre që të investojnë në bujqësi, infrastrukturë dhe teknologji informative.
Kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur me gatishmërinë për të investuar sidomos në bujqësi dhe konfirmoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar që të krijojë kushte sa më të favorshme për investitorët e huaj që janë të interesuar të investojnë në Kosovë.