E-Fatura edhe një përkushtim tjetër i Qeverisë së Kosovës
Prishtinë, 17 janar - Ministri i Financave Avdullah Hoti, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu, përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Suedisë Göran Paulsson dhe shefja e SIDA-së suedeze në Kosovë Mia Nidesjö, kanë promovuar sot projektin për shërbimin elektronik për pagesën e Tatimit në Pronë E-Fatura.
Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti demonstroj para mediave pagesën online të faturës së tij të Tatimit në Pronë, ku gjithashtu tha se Ne sot po promovojmë aplikimin e shërbimit elektronik për Tatimin në Pronë E-Fatura, përmes të cilit tatimpaguesve u mundësohet marrja e faturës, përcjellja e gjendjes, si dhe bërja e pagesës përmes shërbimeve elektronike për të gjithë tatimpaguesit e Republikës së Kosovës, kudo që ata ndodhen, brenda dhe jashtë Kosovës.
Është njëri ndër projektet më të rëndësishme që ka Ministria e Financave dhe jemi shumë mirënjohës shtetit suedez për këtë mbështetje, për shkak se përmes këtij projekti po krijohen komuna të forta, po ndihmohet shumë në rritjen e inkasimit të tatimit në pronë në komuna, si një nga burimet më të rëndësishme të të hyrave të Komunave, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se së bashku me zëvendësministrin që e kryeson Komitetin për këtë projekt \"Pro Tax 2\" dhe me kryetarin e Podujevës që është zëvendëskryesues i Komitet të \"Pro Tax 2\", bëri të ditur se gjatë takimit me përfaqësuesit e shtetit suedez kanë biseduar për progresin që është bërë deri tash në projektin \"Pro Tax 2\" që ka filluar në vitin 2014 dhe vazhdon edhe gjatë këtij viti. Është një projekt i rëndësishëm për ne. Përmes këtij projekti ne kemi marr një mbështetje rreth 5 milionë euro nga Qeveria suedeze përmes SIDA-s. Ndërkaq, ne si Ministri e Financave kemi kontribuar me 350 mijë euro.
Janë disa elemente të rëndësishme të këtij projekti, disa objektiva që janë arritur gjatë këtyre viteve që kemi punuar së bashku më SIDA-n, ndër to është Ligji i Tatimit në Pronë, i cili është diskutuar gjerësisht me komunat dhe me palët e tjera të interesit; tani e kemi draftin e plotë të ligjit dhe besoj se së shpejti, në mesin e janarit ose në fillim të shkurtit, do ta dorëzojmë në Qeveri për aprovim dhe pastaj janë procedura të Kuvendit. Është një reformë e plotë që i bëhet sistemit të tatimit në pronë nëpër komuna për të ua mundësuar komunave përdorimin e aseteve që për shumë vite kanë mbetur të pa shfrytëzuara nëpër komuna gjithandej për shkak të një sistemi të ri të Tatimit në Pronë që i nxit qytetarët që të përdorin pronat e tyre, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Rezultati i dytë i cili është arrit me këtë projekt është zhvillim i sistemi të TI-së, ku ju sot e shikuat edhe mënyrën se si tani të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund ti qasen tatimit të tyre në pronë për të shtypur faturën direkt nga faqja e Departamentit të tatimit në pronë që është zhvilluar për këtë qëllim dhe pastaj për të paguar gjithashtu këtë fatur të tatimit në pronë online përmes UNIREF-it dhe llogarisë bankare që është dhënë aty. Përmes këtij projekti janë më shumë se 2 milionë parcela që janë futur në sistemin e tatimit në pronë me qëllim të përgatitjes së tatimit në tokë sepse po planifikohet që me këtë ligj të lëvizim në atë drejtim. Përmes këtij sistemi janë afër 500 mijë fatura që tani më janë shtypur nëpër komuna dhe janë shpërndarë tek qytetarët dhe familjet. Sistemi po mundëson një test të vlerësimit të vlerës së tokave shumë më të mirë se sa ka qenë më herët. Sistemi ka ndihmuar shumë në implementimin me sukses të ligjit për faljen e borxheve.
Përmes këtij sistemi një rezultat i jashtëzakonshëm që është arritur është vlerësimi në masë i tokës përmes kategorizimit të tokës në toka bujqësore, në toka pyjore, në toka rezidenciale për banim, në toka komerciale, si dhe në toka industriale. Janë krijuar rreth 1600 zona të vlerësimit në të gjitha komunat. Dhe një rezultat që është mbërri përmes këtij projekti është informimi i tatimpaguesve për mënyrën e qasjes në faturën e tyre të Tatimit në Pronë dhe për mënyrën se si shfrytëzohen këto mjete nëpër komuna. Është një faqe shumë interaktive ku mund të gjejmë të gjitha këto informata. Dhe unë besoj që rritja e inkasimit të tatimit në pronë që kemi parë në veçanti gjatë vitit 2016 në masë të madhe i atribuohet këtij projekti të rëndësishëm që kemi, shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu, bëri të ditur se gjatë takimit me përfaqësuesit e shtetit suedez kanë diskutuar gjithashtu për vazhdimin e këtij projekti për dy ose tri vitet e ardhshëm, ku sipas tij në mbledhjen e ardhshëm të Komisionit Mbikëqyrës të këtij projekti që do të mbahet diku në mars do të vendoset përfundimisht për këtë çështje.
Me këtë rast ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se Më lejoni që të bëj të ditur edhe një memorandum që ne presim që nesër ta nënshkruajmë në Tiranë ndërmjet Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë për të bartë krejt këtë përvojë që ne kemi akumuluar në Prishtinë përmes SIDA-së suedeze tek Qeveria e Shqipërisë, sepse projekti është treguar që është mjaftë i zbatueshëm, është i pranueshëm dhe ndikon edhe në rritjen e të hyrave dhe në disiplinën e përgjithshme nëpër Komuna.
Ndërsa, përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Suedisë Göran Paulsson, tha se Jemi duke punuar në këtë projekt, autoritetet tatimore suedeze me tatimin në pronë të Kosovës. Është një projekt shumë i rëndësishëm. Dhe jam i lumtur të dëgjoj në lidhje me rezultatet e arritura deri më tani. Qeveria e Suedisë ka një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për bashkëpunim dhe ka një strategji për vitet 2014-2020 dhe ky është një ndër projektet më të rëndësishme që kemi ne me Kosovën.
Është shumë strategjik; ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetesës për njerëzit në Kosovë dhe forcimin e Komunave, që janë pjesë e kësaj pune, dhe ka shumë rezultate që vijnë me këtë punë. Shpresojmë dhe parashohim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vazhdim në çështjet e taksave. Dua të falënderoj edhe Ministrin për bashkëpunimin e hapur që kemi, folëm për sfidat, folëm për arritjet. Por ne kemi një komunikim të hapur dhe do të shikojmë mundësitë e bashkëpunimit dhe në vitet në vazhdim.