Dyshime mbi shifrat e BB për varfërinë globale
New York, 13 prill - Studime të reja tregojnë se shifrat e nivelit global të varfërisë, që janë përllogaritur mbi përkufizimin e Bankës Botërore se një person me të ardhura më të ulëta se 1.25 dollarë në ditë jeton në varfëri, mund të mos pasqyrojnë nivelin real të problemit.
Shifrat e Bankës Botërore përdoren gjerësisht dhe luajnë një rol të rëndësishëm në strategjitë globale kundër varfërisë. Por kritikët argumentojnë se shifra prej 1.25 dollarësh në ditë është shumë arbitrare dhe nuk merr parasysh shumë nevoja bazë të njeriut.
Studiuesit në Universitetin e Bristolit analizuan nevojat për kushte higjeno-sanitare, strehim, ujë, ushqim, kujdes shëndetësor dhe arsim për banorët e ishullit Vanuatu një zonë kryesisht rurale.
Ata e konsiderojnë nivelin e varfërisë që ka vendosur Banka Botërore si shumë optimist krahasuar me nevojat reale që evidentuan.
Sipas studimit, në bazë të standardit të Bankës Botërore 5% e fëmijëve në Vanuatu jetojnë në varfëri. Por në bazë të standardeve kombëtare për ushqim dhe nevoja bazë, 17% e fëmijëve në këtë ishull konsiderohen në nivelin e varfërisë.
Varfëria absolute, ku njerëzve u mungojnë dy apo më shumë prej faktorëve jetikë, prek 16% të fëmijëve në ishull, sipas studimit të publikuar në revistën Journal of Sociology.
Studimi i ri hedh dyshime mbi standardin e Bankës Botërore për përkufizimin e varfërisë, që përdoret për të analizuar përparimin e vendeve në përmbushjen e Sfidave të Mijëvjeçarit për Zhvillim, si përpjekjet për të eliminuar urinë brenda vitit 2015 si dhe për të përgjysmuar numrin e personave në varfëri ekstreme.