Dy projektligje të MPMS kalojnë në Komisionin për Ekonomi dhe Punësim
Prishtinë, 3 nëntor - Sot, në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka paraqitur dy projektligje të rëndësishme të hartuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, konkretisht Projektligjin për Inspektoratin e Punës dhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L008 për Këshillin Ekonomiko-Social.
Ministri Reçica theksoi se te dy këto projektligje janë bazuar në standardet dhe praktikat më të mira të marra nga vendet e rajonit dhe sipas standardëve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO. Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ka miratuar në parim këto dy Projektligje dhe u zotuan se do të japin kontributin e tyre në të dy leximet me qëllim që këto dy Projektligje të avancohen edhe më tej.
Ministri Reçica gjithashtu njoftoi anëtarët e Komisionit për hapat që ka ndërmarrë MPMS lidhur me njohjen e stazhit të punës për punonjësit e viteve 90-ta të larguar me dhunë nga puna nga regjimi serb i asaj kohe, se tashmë ka proceduar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti për miratim në qeveri, në bazë të secilit parashihet njohja e këtij stazhi.