27 Prill 2025

Dy oferta për PTK-në

Prishtinë, 3 prill - Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka bërë të ditur se janë pranuar dy oferta për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, duke shtuar se në garë janë kompania M1 International dhe Axos GMBH në konsorcium me Najafi Companies.

Këto komente Beqaj i bëri gjatë një konference për media që u mbajt pas takimit të KQP-së, me ç’rast theksoi se komisioni për pranimin e ofertave në përbërje të zyrtarëve nga MZHE, MI, MTI, MPMS dhe MF ka pranuar dy oferta që kanë plotësuar kushtet ligjore, gjë që është konfirmuar edhe nga ana e këshilltarëve të transaksionit.

Kreu i MZHE-së tha se këshilltarët e transaksionit Lazard  e Raiffaisen dhe këshilltari strategjik kanë konfirmuar se deri tani çdo procedurë ka shkuar konform bazës ligjore dhe rregullave të cilat janë përcaktuar në kuadër të tenderit, i cili është hapur më herët, ndërsa nënvizoi se KQP ka formuar komisionin për vlerësim, i cili do të jetë në përbërje të njëjtë institucionale me atë të pranimit.

“Ky komision së bashku me Njësinë për Implementim të projektit dhe këshilltarët e transaksionit, të cilët janë të obliguar të bëjnë vlerësimin e procesit do të vijnë brenda një afati sa më të shkurtër me rekomandimet e tyre, mbi të cilat ne do të marrim vendimin për hapjen e ofertave financiare”, tha Beqaj.

Ai tha se hapja e ofertave financiare do të bëhet publikisht ashtu siç ka ndodhur edhe me transaksionet e mëhershme, ndërsa kriteret janë të thjeshta, fiton oferta më e madhe financiare sepse procesi ka qenë i rregulluar dhe i dizajnuar në mënyrë të tillë që të gjitha kushtet teknike janë analizuar në momentin e parakualifikimit të këtyre kompanive.

“Në momentin kur do të bëhet hapja e ofertave sipas procedurave të rregullta, Komisioni do të marrë një vendim konform ofertës financiare dhe do t’i sugjerojmë Qeverisë për hapat e mëtutjeshëm, pra vendimin final e merr Qeveria konform ofertës financiare të cilën e kemi”, tha ministri Beqaj.

Kryesuesi i KQP-së, vlerësoi se ka qenë një proces jashtëzakonisht transparent, një proces i hapur, konform standardeve më të larta ndërkombëtare dhe kjo ka konfirmuar edhe vendimet të cilat janë marrë deri më tani.

“Ne kemi trajtuar me prioritet të veçantë këtë projekt. Unë besoj që ky proces i reformës strukturale është në të mirë të ekonomisë së Kosovës sepse ndërmarrjet për të cilat po flasim do të vazhdojnë të mbesin ndërmarrje të Kosovës, duke punësuar qytetarë të Kosovës, duke paguar taksa, duke ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe konsiderojmë që ky është një kontribut i drejtpërdrejtë në një qëndrueshmëri afatgjate ekonomike të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sa i përket kompanive në garë, ministri Beqaj tha se sipas informacioneve që ka ato kanë fuqi të mjaftueshme financiare dhe ekip të fuqishme, ngase në kuadër të tyre janë edhe British Telecom dhe kanë harmonizim edhe me Telecom Italia.

Ai ka saktësuar se nuk ka pasur asnjë ankesë në këtë proces, derisa shtoi se kompanitë në garë janë të barabarta dhe deri në procesin e hapjes së ofertave financiare, ofertat do të mbahen në një dhomë e cila është 24 orë me videomonitorim dhe sigurim nga policia.

Nga ana e tij, Nenad Rashiq ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, vlerësoi se ky është një proces i rëndësishëm dhe është fillimi i zhvillimit të PTK-së, ku elementi social më i rëndësishëm është se punëtorët do të ketë kontrata të garantuara trevjeçare që përbën një sukses të madh për këtë kompani.

Christophe Gehin në emër të ekipit të këshilltarëve të transaksionit tha se kanë mirëpritur faktin që janë pranuar dy oferta për privatizimin e 75% të aksioneve e PTK-së. “Përkundër një mjedisi të vështirë ekonomik procesi i privatizimit të PTK-së ka arritur të sjell dy ofertues serioz dhe ne kemi arritur të mbajmë konkurrencën duke iu referuar dy konferencave që kemi mbajtur në Londër dhe Stamboll”, tha ai.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota  tha se është me rëndësi që sot ka përfunduar pjesa më e rëndësishme e këtij procesi, ndërsa ka vlerësuar punën e KQP-së dhe këshilltarit të transaksionit dhe atij strategjik duke shpresuar se procesi do të nxjerr një fitues të suksesshëm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)