Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, shembull për komunat tjera
Në takim, pikat kryesore diskutimit ishin struktura organizative e Drejtorisë së Kadastrit dhe funksionimi i saj; shërbimet që ofrohen për qytetarët dhe bizneset nga kadastri dhe gjeodezia dhe afatet kohore për kryerjen e këtyre shërbimeve; procedurat për ofrimin e shërbimeve nga kadastri dhe gjeodezia dhe mënyrën e informimit të qytetarëve për këto procedura; rregulloret dhe udhëzimet komunale për kadastër dhe gjeodezi; si dhe të arriturat dhe sfidat e kësaj drejtorie lidhur me përmirësimin e shërbimeve për qytetarë dhe biznese.
Drejtoresha e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Nora Kelmendi, para të pranishmëve prezantoi punën e vetë tre vjeçare në këtë drejtori, ku përmendi sfidat me të cilat është përballur në fillim si dhe sukseset e arritura deri më tash si drejtori.
Ajo ndër të tjera foli për riorganizimin dhe shtimin e sporteleve, me çrast janë reduktuar dukshëm pritjet e qytetarëve nëpër sportele si dhe kryerja e shërbimeve nga ana e zyrtarëve komunalë është bërë shumë më e lehtë dhe efikase.
Duke folur për riorganizimin e punës me synim të përmirësimit të shërbimeve, Kelmendi theksoi shkurtimin e afateve kohore për marrjen e dokumenteve të caktuar, si në sektorin e regjistrimit të pronës ku më parë kanë pritur qytetarët nga 30 ditë kurse tani shërbehen brenda 7-10 ditëve; në regjistrimin dhe çregjistrimin e hipotekave dhe barrave tatimore ku më parë është pritur 3 ditë kurse tani kryhet për 1 ditë; si dhe në shërbimet e gjeodezisë ku janë formuar ekipet për punë në terren dhe lëndët e gjeodezisë kryhen për 3-5 ditë punë varësisht nga vëllimi i lëndës.
Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve, që nga 9 qershori 2014, rastet sociale janë liruar nga pagesa e taksës në Drejtorinë e Kadastrit.
Projektet kryesore kapitale të Drejtorisë së Kadastrit që janë realizuar përgjatë 3 viteve të fundit ishin krijimi i kadastrit të përçojave dhe objekteve nëntokësore në Komunën e Prishtinës në vitin 2014 dhe vitin 2015; incizimi gjeodezik i hapësirave të përbashkëta banesore në lagjet Qafa dhe sheshi Nënë Tereza (9,70%), Dardani (1,86%), Ulpianë (11,86%), në vitin 2015; si dhe incizimi gjeodezik i hapësirave të përbashkëta banesore në lagjet Qendër (4.45%), Dardani (16,92), dhe Ulpianë (18,08), në vitin 2016.
Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, u theksua edhe dërgimi i disa lëndëve në Drejtorinë për Krime të Rënda Ekonomike, për shkak të tjetërsimeve të pronave që kanë ndodhur më parë, si dhe aplikimi i masave të ndryshme disiplinore ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrit të cilët kanë bërë shkelje të ndryshme ligjore.