Drejtori i misionit të USAID-it do të vizitojë veriun e Kosovës
Prishtinë, 1 dhjetor - Drejtori i misionit të USAID-it James Hope do të vizitojë sot veriun e Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij në veri Hope do të takohet me përfaqësueset e Rrjetit Multietnik të Grave Ndërmarrëse në fermën Laki në Sërbovc si dhe do të vizitojë shkollën fillore Vuk Karaxhiq në Zveçan.
Që të dy projektet janë pjesë e mbështetjes së dhënë nga ana e USAID-it përmes programit Avancojmë Kosovën se Bashku, të dizajnuar për të mbështetur bashkëpunimin dhe ndërveprimin konstruktiv ndëretnik në mes të komuniteteve shumicë dhe pakicë, gjë e cila ka rëndësi jetike për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Programi i USAID-it Avancojmë Kosovën se Bashku përbëhet nga dy mekanizma, njëri nga të cilët është Avancojmë Kosovën se Bashku - Parësori, i cili implementohet nga Chemonics, dhe tjetri Avancojmë Kosovën se Bashku - Zgjidhjet Lokale, i cili implementohet nga Fondi për Zhvillim të Komuniteteve (CDF), në partneritet me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë (CPT), dhe Ndihmën dhe Zhvillimin e Kosovës (KRD).