Drejtorët e BERZH-it inspektojn Shqipërinë dhe Malin e Zi
Tiranë, 20 qershor - Një delegacion nga Bordi i Drejtorëve të BERZH-it, të cilët përfaqësojnë aksionerët e Bankës, do të vizitojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi gjatë periudhës 17-22 qershor 2012.
Vizita është pjesë e një rendi të rregullt takimesh që i mundëson Drejtorëve të BERZH-it të sigurojnë informacion aktual mbi zhvillimet në vendet ku investon Banka.
Në Shqipëri, në datat 20-22 qershor 2012, Bordi i Drejtorëve të BERZH-it do të takohet me Edmond Haxhinaston, zëvendëskryeministër, Ridvan Boden, ministër i Financave, dhe Lulzim Bashën, kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu, delegacioni i BERZH-it do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe të biznesit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Mal të Zi dhe në Shqipëri.
Qëllimi i vizitës është informimi mbi prioritetet e ekonomisë së Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe roli i pritshëm i BERZH-it në këto dy vende.
Gjatë vizitës në Mal të Zi, në datat 17-20 qershor 2012, delegacioni i BERZH do të zhvillojë takime me Filip Vujanovic, Presidentin e Malit të Zi, Igor Luksic, Kryeministrin e Malit të Zi, Milorad Katnic, ministrin e Financave, Milan Rocen, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit në BE, Andrija Lompar, ministrin e Transportit dhe Çështjeve Detare, Radoje Zugic, guvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, si edhe anëtarë të Parlamentit të Malit të Zi.
Që nga fillimi i veprimtarive të saj në Mal të Zi, BERZH ka investuar rreth 300 milionë euro në ekonominë e vendit. Në Shqipëri, Banka ka investuar 665 milionë euro në sektorë të ndryshëm deri tani.