16 Janar 2025

Drejtësia në tenderë, kontestohet objektiviteti i OSHP-së

Prishtinë, 23 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) )/Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, ka organizuar të mërkurën një takim publik me temën “Drejtësia në tenderë” - Roli dhe funksioni i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në debat është diskutuar për problemet që paraqitën në funksionimin e institucioneve në trajtimin e ankesave të operatorëve ekonomikë, në veçanti në OSHP.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se me gjithë numrin e madh të ankesave, duhet kushtuar rëndësi objektivitetit dhe kualitetit të vendimeve.

Po ashtu, është diskutuar edhe për funksionimin e Listës së Zezë për bizneset që falsifikojnë dokumentacionin , mungesën e kapaciteteve të Gjykatës Supreme për të trajtuar ankesat e operatorëve ekonomik dhe kapacitetet  e Prokurorisë për të trajtuar rastet ku ka dyshime për keqpërdorime dhe korrupsion.

Fillimisht, përfaqësues të KDI/TIK kanë prezantuar disa të gjetura bazuar në raportet analitike të KDI/TIK për prokurimin publik . Sipas të gjeturave, akterë të ndryshëm e sidomos operatorët ekonomikë e kritikojnë shumë punën e OSHP-së duke dyshuar në rezultatet, paanshmërinë dhe funksionimin e saj.

Po ashtu, në raportet e përpiluara nga KDI për Ministritë e lartpërmendura, vërejtjet të cilat theksohen ndaj OSHP-së janë mungesa e trajtimit të çështjeve nga ekspertë të fushave të caktuara (p.sh. shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, etj.), në mënyrë që të ketë vlerësim adekuat të ankesave.

Sipas rezultateve të raporteve, shumë nga operatorët ekonomikë kanë shtuar se kanë dyshime që OSHP favorizon kompani të ndryshme në marrjen e tenderëve, prandaj nuk mundohen që të ankohen për shkak të mungesës së besueshmërisë në këtë organ.

Problem tjetër konsiderohet pagesa prej 500 eurosh e detyruar për parashtrim ankesash dhe e rimbursuar në qoftë se vendimi merret në favor të ankesës, gjë që dekurajon operatorët e ekonomikë të ankohen për shkak të kostos së lartë dhe dyshimit të objektivitetit të OSHP-së.

Hysni Hoxha, kryetar i OSHP-së duke folur për aktivitetet e këtij institucioni, ka folur edhe rreth dyshimeve të ngritura rreth besueshmërisë ndaj OSHP-së, duke thënë se trajtojnë numër të madh të ankesave çdo vit. Sipas tij, nga themelimi në 2007 deri më 2011 janë shqyrtuar 1910 raste. “OSHP mbron fuqishëm operatorët ekonomikë.

\"Numri i madh i ankesave të trajtuara është dëshmi që operatorët ekonomikë  i besojnë OSHP-së”, ka thënë Hoxha.

Sa i përket kapaciteteve ai ka shtuar se OSHP ka fonde të mjaftueshme, dhe së fundmi ka edhe ekspertë të fushave të ndryshme që trajtojnë lëndë të caktuara, qoftë në shëndetësi apo inxhinieri. Secili vendim i OSHP-së sipas tij që kontestohet nga parashtruesi i ankesës kalon tek Gjykata Supreme.

Avdi Dinaj, gjykatës i Gjykatës Supreme ka folur për organizimin e Gjykatës Supreme, duke theksuar mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme për të trajtuar këto ankesa.

Sipas tij, në Gjykatën Supreme ekziston vetëm një kolegj për lëndë administrative me mungesë gjykatësish për t’i trajtuar lëndët apo paditë kundër OSHP-së. Ndërkohë, ai ka shtuar se kjo gjykatë nuk ka statistika rreth numrit të lëndëve të ardhura për vendimet e OSHP-së. 

Nga ana tjetër, Faik Halili, Prokuror në Prokurorinë Speciale ka thënë se ky institucion i trajton të gjitha informatat që lidhen me keqpërdorime të mundshme. Sipas tij, edhe raportet e organizatave joqeveritare dhe të tjera merren parasysh, regjistrohen dhe trajtohen nëse duhet hetuar. 

Ndërkohë, Ardi Shita nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka folur për mungesën e besimit të operatorëve ekonomikë ndaj OSHP-së, të dhëna të bazuara në një anketë të kësaj organizate.

“Targeti i anketës kanë qenë kompanitë me qarkullim të madh vjetor, mbi 2,000,000 Euro, që ka qenë indikator i kompanive që mund të jenë të suksesshme në prokurim, dhe nga këta rreth 50% janë përgjigjur që nuk ankohen në OSHP nga frika e hakmarrjes në tenderë të ardhshëm”, ka thënë ai. Shita ka folur edhe për rëndësinë që duhet pasur kualiteti i vendimeve të OSHP-së, e jo kuantiteti.

Në debat është kërkuar nga pjesëmarrësit po ashtu që të ketë përmirësim të vazhdueshëm të  profesionalizmit të OSHP-së, të ketë më shumë gatishmëri dhe potencial për trajtimin objektiv e të gjitha  ankesave, si dhe Gjykata Supreme dhe Prokuroria të rrisin kapacitetet për t’i trajtuar ankesat që vijnë pas vendimeve të OSHP-së.

Debati publik është organizuar në kuadër të projektit të KDI/TIK – Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, që mbështetet financiarisht nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)