Dogana vazhdon me rritjen e të hyrave, mbledh 229.9 milion euro
Prishtinë, 5 prill - Dogana e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka vazhduar të tregojë performance shumë të mirë në të hyra e grumbulluar për tre mujorin e parë 2019.
Adriatik Stavileci zëdhënës i Doganës ka bërë të ditur se gjatë periudhës raportuese të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 229.9 milion euro, gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018 paraqet një rritje prej 10.3 për qind apo rreth 21.5 milion euro më shumë.
Në anën tjetër, ndikim në të hyra sipas tij ka pasur MSA dhe lirimet nga taksat në import për prodhuesit kosovar për lënden e parë dhe të gjitha inputet që përdoren në procesin e prodhimit.
"Sa i përket MSA duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA përgjatë kësaj periudhe është rreth 12.9 milion euro apo rreth 46.6 për qind me shume së periudha e njëjtë vitit paraprak, ndërsa ndikimi në të hyra nga pako fiskale që i referohen prodhuesve përgjatë periudhës raportuese është rreth 17.2 milion euro, që paraqet një rritje prej rreth 59 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë te vitin e kaluar", ka thënë Stavileci.
Ai konsideron se shikuar për nga struktura e të hyrave kufitare, kontributin më të madh pozitiv në rritjen e të hyrave nga importi e kanë dhënë të hyrat e arkëtuara nga TVSH – të cilat kanë shënuar rritje prej rreth 6.47 për qind apo rreth 7.2 milion euro më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Në anën tjetër, të hyrat nga taksa doganore sipas Stavilecit kanë shënuar rritje prej rreth 8 për qind apo shprehur në vlerë nominale rreth 2 milion euro më shumë.
"Ngjashëm me taksën doganore, edhe të hyrat nga taksa e akcizës kanë shënuar rritje prej 11.6 për qind, apo shprehur në vlerë nominale rreth 9 milion € më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak."
"Të hyrat nga TVSH në kufi gjatë kësaj periudhe marrim pjesë me rreth 51 për qind, pasuar nga të hyrat e arkëtuara prej akcizës me rreth 37.5 për qind dhe të hyrat nga taksa doganore me rreth 11.5 për qind", ka theksuar Stavileci.
Sa i përket eksportit, i njëjti sipas tij përgjatë periudhës raportuese ka shënuar ngritje ne sasi prej rreth 6.6 për qind, përderisa edhe vlera e eksportit ka shënuar ngritje me rreth 12.46 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.