Dogana shënon zhvillim drejt standardeve të pranuara nga BE-ja
Prishtinë, 11 gusht - Dogana e Kosovës e shënon kontributin e EULEX-it në progresin e arritur me anë të cilit e përfundon mbikëqyrjen e këtij shërbimi ndërsa për të ardhmen EULEX-i do të vazhdojë të ketë rol këshillues në nivelin strategjik.
Dogana e Kosovës (DK) ka bërë një zhvillim të jashtëzakonshëm përgjatë viteve të kaluara të mandatit të EULEX-it. Ky progres i vazhdueshëm është dëshmi e asaj se ndihma e BE-së, e ofruar përmes këshilltarëve të EULEX-it, ka qenë e investuar mirë.
Gjatë viteve të kaluara, EULEX-i i ka ofruar Doganës së Kosovës shërbime të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit lidhur me reformat e rëndësishme të DK-së. Arkëtimi i të hyrave në Kosovë gjatë mandateve të mëparshme të EULEX-it është rritur për çdo vit.
Dogana ka shënuar progres të konsiderueshëm drejt standardeve të BE-së me ndihmën dhe udhëzimet e miqve tonë ndërkombëtarë të cilët na kanë ndihmuar që Doganën ta bëjmë një institucion modern dhe model të njërit prej institucioneve më të suksesshme në Kosovë, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.
Krahas këtij zhvillimi, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Me anë të ndihmës së vazhdueshme të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Dogana e Kosovës sot është shembull edhe në rajon.
Me këtë rast, U.D. Shefi i EULEX-it, Bernd Thran tha Dogana e Kosovës ka shënuar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së mandatit të EULEX-it. Këto të arritura të shquara janë rezultat i zbatimit të reformave dhe masave të reja kundër korrupsionit, si dhe procedurave të përmirësuara dhe zbatimit të ligjit, të cilat i ka filluar Dogana e Kosovës përgjatë viteve me ndihmën e EULEX-it.
Dogana e Kosovës pritet që gjatë këtij viti ti arkëtojë mbi një miliardë euro, kurse unë jam i sigurte se ajo do ta arrijë këtë nëse vazhdon me këtë ritëm. Kjo është me rëndësi: të gjitha këto para shkojnë në buxhetin e Kosovës, kurse ky buxhet i mundëson qeverisë që të ofrojë më shumë shërbime për qytetarët e Kosovës. shtoi ai.
Në përputhje me mandatin e ri të EULEX-it, përkrahja për Doganën e Kosovës tani do të përqendrohet në ofrimin e këshillave strategjike në lidhje me prioritetet themelore të administratës në rritjen e efektivitetit të Kosovës në menaxhimin e përgjithshëm të kufirit si dhe në përkrahjen e dialogut në vijim e sipër ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.