Dogana pezullon importin e 200 kompanive
Prishtinë 5 dhjetor - Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna ka takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe drejtorin e Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ku i ka njoftuar se Dogana ka bërë pezullimin e importit të mbi 200 kompanive të cilat kanë borxhe të akumuluara nga periudha 2012 dhe 2013.
Rafuna i ka njoftuar zyrtarët e odave se dogana në kuadër të zbatimit të legjislacionit ka ndërmarr këtë veprim pasi këto kompani nuk iu kanë përgjigjur ftesave tona dhe vendimeve për inkasim të borxhit doganor.
Lidhur me këtë çështje Rafuna theksoi, se sipas kodit doganor ankesat e kompanive nuk nënkuptojnë që borxhi doganor mund të shtyhet, pra fillimisht duhet të bëhet pagesa dhe nëse ka vendim nga organet kompetente i cili i liron kompanitë nga kjo pagesë atëherë mjetet ri-kthehen.
Gjithashtu Rafuna theksoi se kompanive iu është mundësuar pagesa e borxheve me kiste ashtu që të mos krijohet një barrë financiare imediate për kompanitë e identifikuara.
Vlen të theksohet se menjëherë pas aplikimit të kësaj mase pezulluese kanë filluar edhe pagesat e disa prej kompanive, të cilat kanë shlyer edhe borxhet e tyre. Rafuna theksoi se ky borxh dhe pagesat të cilat dogana kërkon janë para publike të cilat shkojnë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe që të gjitha kthehen përmes investimeve publike.
Nga ana tjetër kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu dhe drejtori i OEAK-ut, Arian Zeka shprehën përkrahje të fortë për masat e ndërmarra nga Dogana e Kosovës dhe vlerësuan lartë mundësinë e cila u jepet bizneseve që borxhet të paguhen me kiste.
Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të dyanshëm i ofruar përmes marrëveshjeve nga ana e Doganës së Kosovës.