Dogana në vitin 2011 ka mbledhur 827 milionë euro

Prishtinë, 4 shkurt - Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, gjatë prezantimit të përmbledhjes së vitit 2011-të në një konferencë për media ka bërë të ditur se Doganat kanë arritur të grumbullonin 827 milionë euro të hyra, apo 127 milionë euro më shumë se në vitin 2010, e që në përqindje i bie 18 për qind më shumë.
Sipas tij faktorët, të cilët kanë ndikuar në rritjen e të hyrave janë zvogëlimi në mas të madhe e kontrabandës, ngritja e akcizës për karburante dhe cigare si edhe faktorë të tjerë.
Huruglica po ashtu ka thënë së importi i mallrave nga Serbia në vendin tonë ka shënuar rënie, ndërsa me Shqipërinë ka pasur rritje jashtëzakonisht të madhe.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, nuk ka mundur të jepte shifra për këtë, por ka thënë se ndikim ka pasur edhe vendimi i 25 korrikut për reciprocitet me Serbinë.
Huruglica ka përmendur edhe sfidën më të madhe me të cilën po ballafaqohen doganat, e kjo mbetet veriu i vendit.
Sipas informacioneve të doganës, kamionët me mallra kosovare nuk kanë hasur në pengesa gjatë hyrjes në Serbi.
Huruglica ka folur edhe për aksionet të cilat i kanë kryer në bashkëpunim me Policinë e të cilat kanë rezultuar me parandalimin e llojeve të ndryshme të drogave , armëve si dhe deklarimet monetare.
Doganat e Kosovës parashikojnë të mbledhin 867 milionë euro në vitin 2012.