Dogana mbledhe 212 milion euro gjatë periudhës Janar - Mars 2018
Prishtinë, 5 prill - Dogana e Republikës e Kosovës ka njoftuar se ka vazhduar me performancë të mirë në aspektin e realizimit të të hyrave.
Parashikimi vjetor i të hyrave në kufi sipas buxhetit për vitin 2018 është 1,175 milionë euro.
Dogana gjatë periudhës Janar-Mars 2018, pra në këtë tremujor ka arritur në total vlerën prej rreth 212 milion euro.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017, të hyrat doganore shënuan rritje për 2% apo 4.1 milion euro më shumë.
Gjate kësaj periudhe, ndikim tek të hyrat nga importi kanë pasur politikat fiskale të cilat kanë hyrë në fuqi me 1 Janar 2018, që favorizojnë ulje taksash në kategori të caktuara, si stimulim i zhvillimit ekonomik.
Për ketë tremujor vlera e mallit që është liruar nga taksat në import është 55 milion euro dhe ndikimi në taksa ka qenë 12.6 milion euro vetëm nga lirimet për lëndën e parë dhe inputet që përdoren në proces të prodhimit, ku krahasuar me tremujorin e vitin e kaluar lirimet nga taksat në import kanë shënuar një rritje prej 116%.
Kategori tjetër që ka ndikuar në të hyra me pak është edhe MSA , ku përgjatë kësaj periudhe (tremujori i parë) ndikimi nga MSA është rreth 8.8 milion euro apo rreth 41.6% më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Gjithashtu efekti i vendimit në kufizimin e veturave në import deri në 10 vite, ka ndikuar që të kemi rënie të importit të veturave të përdorura për 46% dhe efekti negativ në të hyra vetëm për ketë 3 muaj tek kategoria e importit të veturave të përdoruara është 4 milion euro.
Sa i përket eksportit, në sasi ka shënuar një rënie prej 15.63%, ndërsa në vlerë shënon rritje prej 2.59% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Përkundër politikave fiskale, MSA dhe vendimit për kufizimin e veturave që kanë ndikuar në të hyra, përsëri Dogana ka arritur që të performojë mirë në mbledhjen e të hyrave për ketë tremujor.