17 Nëntor 2024

Dogana ka larguar 300 shpediterë që kanë lidhje familjare

Prishtinë, 21 janar - Mbi 300 shpediterë, të cilët janë duke punuar në ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore për Doganën e Kosovës (DK), nuk do të mund të punojnë më, pasi udhëzimi i ri administrativ i ka eliminuar për shkak të lidhjeve familjare që ata kanë me të punësuarit në këtë institucion shumë të rëndësishëm për mbushjen e arkës së shtetit.

Drejtori i DK-së, Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se ky udhëzim nuk është kundër askujt, por synon të vë rregull në shpedicion.

“Udhëzimi administrativ ‘U. A. nr. 12. 2014, mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore’, do të hapë më shumë mundësi të merren me këtë veprimtari, por jo edhe ata që kanë të punësuar në Doganë, pasi është konflikt interesi.\"

\"Deri më tani kjo fushë ka qenë e parregulluar dhe në kuadër të planit tonë të reformave që i kemi premtuar, ka qenë edhe licencimi i agjentëve doganorë. Deri më tani ata janë licencuar ose rilicencuar nga një udhëzim i UNMIK-ut, i cili tanimë nuk ka fuqi ekzekutive”, ka deklaruar Rafuna për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka deklaruar se në vitin 1999 udhëzimi i UNMIK-ut ka qenë shumë i arsyeshëm sepse, sipas tij, nuk ka pasur institucione, pasi vendi kishte dalë nga lufta.

“Që nga ajo kohë ka qenë shumë e thjeshtë që dikush të bëhet shpediterë, por tash jemi duke ecur drejt zhvillimit të Doganës. Kjo çështje do të shikohet në bazë të kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Doganave Evropiane. Ka pasur kërkesë dhe presione nga këto dy institucione që ne ta shikojmë kompetencën e shpedicioneve”, ka thënë ai, duke shtuar se shpedicionet janë shumë të rëndësishme, pasi nëse ata do t’i deklarojnë të dhënat e sakta, Dogana të ecë më mirë.  

Rafuna, ka bërë me dije se procedura për licencim të shpediterëve do të fillojë këtë muaj, duke u bazuar në udhëzimin administrativ “Mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore”.

“Tani për tani për Doganën e Kosovës punojnë 500 shpedicione, që janë deklaruara edhe nga Shoqata e Shpediterëve të Kosovës. Duhet të jetë e qartë se ky udhëzim administrativ, i cili do ta largojë Doganën e Kosovës nga nepotizmi, nuk është bërë krye në vete nga institucioni të cilin e drejtoj unë, por ai është draftuar në bashkëpunim me institucionet e tjera, konkretisht është marrë mendimi i Agjencisë Antikorrupsion (AKK), EULEX-i dhe IFC-ja”, ka thënë ai.

Rafuna ka shtuar se qëllimi i Doganës së Kosovës është të luftohet korrupsioni dhe të mos ketë konflikt të interesit.

“Asnjë shpediter nuk mund të punojë më nëse e ka të punësuar ndonjë familjar në Doganë. Besojmë se me këtë Dogana do të jetë kredibile, e besueshme dhe nuk do të ketë konflikt të interesit.\"

\"Në bazë të udhëzimit do të marrin licencë apo do të rilicencohen të gjithë ata që i plotësojnë kushtet. Ne nuk do ta bëjmë kurrfarë diskriminimi, por nuk do të licencohen personat që kanë lidhje familjare me ndonjë të punësuar në Doganë.\"

\"Nuk ka kurrfarë kufizimi për numrin e atyre që do të licencohen. Mund të licencohen edhe mbi 1 000 shpediterë, por asnjë i cili ka lidhje familjare me ndonjë të punësuar në Doganë”, ka thënë ai.

Kryetari i Shoqatës së Shpedicionit të Brendshëm dhe Ndërkombëtar, Elez Syla, e ka vlerësuar të mirëseardhur udhëzimin administrativ “U. A. nr. 12. 2014, mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore”.

Ai ka thënë se pret që ky udhëzim ta rregullojë çështjen e shpedicioneve. “Çdo gjë që rregullohet me ligj e krijon një rregullativë në një fushë të caktuar. Po presim ta shohim se si do të rregullohet çështja e licencimit të shpediterëve”, ka deklaruar Syla për gazetën “Epoka e re”.  

Por disa shpediterë të Kosovës, pas nënshkrimit të udhëzimit administrativ “U. A. nr. 12. 2014, mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore”, i kanë shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës.

Në letrën, të cilën e ka siguruar gazeta “Epoka e re”, këta shpediterë kanë kërkuar nga Mustafa ta ushtrojë autoritetin e vet për, siç kanë thënë ata, për padrejtësitë që po ua bënë Dogana e Kosovës.

“Dogana e Kosovës padrejtësisht ka privuar nga e drejta kushtetuese një numër të ndërmarrjeve dhe të punësuarve, me arsyen se mund të kenë lidhje familjare. Me këtë udhëzim do t’i humbin vendet e punës 300 të punësuar. Është e pamundshme të mbushen këto vende të punës, pasi nuk i plotësojnë kushtet aplikantët e tjerë”, është thënë në këtë letër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)