Dogana ka arritur të mbledh 429,6 milion euro
Prishtinë 16 qershor - Dogana e Kosovës ka njoftuar se është duke vazhduar me performancën e jashtëzakonshme në mbledhjen e të hyrave, edhe gjatë muajit qershor.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci ka thënë së është arritur të mbahet trendi pozitiv që nga fillimi i vitit, derisa krahasimi me vitin e kaluar tregon që kemi mbi 67 milion euro më shumë se 2015.
\"Deri tani Dogana e Kosovës ka arritur të mbledh 429,6 milion euro derisa për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishim 362,4 milion euro pra rritja e të hyrave me vitin paraprak është për 20% më shumë se viti i kaluar.\"
\"Derisa me projeksionin buxhetor për vitin 2016 Dogana për momentin është 6% më shumë për këtë periudhë\", ka theksuar Stavileci.
Këto sukseset sipas tij i atribuohen tërësisht reformës së filluar në vitin 2014 ku tanimë janë duke u parë efektet e saj pasi që Dogana është shndërrua në një administratë moderne, që përshtatet me nevojat e biznesit dhe sfidat.
Dogana në 16 vite ekzistencë asnjëherë nuk kishte arritur të tejkalonte shifrën prej 1 miliard euro të grumbulluara derisa trendi aktual i të hyrave tregon qartë se në vitin 2016 ne do të mbledhim mbi 1 miliard euro.