29 Prill 2025

Dogana e ATK-ja mblodhën 946 milionë euro

Prishtinë, 2 nëntor -  Dogana e Kosovës (DK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti kanë arritur t’i mbledhin rreth 946 milionë euro. Të dy institucionet që e mbushin arkën e shtetit i kanë kaluar parashikimet e mbledhjes së të hyrave.


Zëdhënësi i DK-së, Adriatik Stavileci, ka bërë me dije se të hyrat doganore për periudhën janar-tetor gjatë këtij viti janë 684.3 milionë euro apo 2 për qind më shumë se në krahasim me vitin e kaluar, me ç’rast të hyrat doganore për periudhën e njëjtë të vitit 2012 ishin 674.7 milionë euro.

Stavileci për gazetën “Epoka e re” ka deklaruar se ka pasur një trend të rritjes së të hyrave jo edhe aq të lartë.

“Të hyrat doganore në pikat kufitare kanë pasur një trend të rritjes progresive në krahasim me vitin e kaluar, por nuk ka qenë shumë e lartë”, është shprehur Stavileci.

Sipas tij, ende dy pikat doganore, të cilat sjellin më së shumti të hyra, janë Hani i Elezit dhe Vermica, për shkak se mallrat nga portet e Selanikut dhe atij të Durrësit i kanë pika të para të zhdoganimit.

ATK-ja mblodhi 261.7 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në periudhën janar-tetor 2013 ka realizuar të hyra në vlerë prej 261.7 milionë eurosh. Blerta Nikqi, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, ka bërë me dije se, krahasuar me planin e këtij viti, ATK-ja e ka tejkaluar për 5.6 milionë euro, apo 2. 2 për qind më shumë.

“ATK-ja e ka realizuar planin deri në 87 për qind të të hyrave të planifikuara për vitin 2013”, ka deklaruar Nikqi.

Ajo ka shtuar se, krahasuar me periudhën janar-tetor 2013, me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar të hyrat e ATK-së në këtë periudhë janë më të mëdha për 25.9 milionë euro apo 11 për qind më shumë.

Nuk ka kontrabandim të mallrave

Zëdhënësi Stavileci ka bërë me dije se Dogana e Kosovës, pas rikthimit në pikat doganore 1 dhe 31, nuk ka vërejtur ndonjë rast të madh të kontrabandimit të mallrave.

“Ka raste, të cilat tanimë janë sporadike, kryesisht nëpërmjet rrugëve sekondare. Dogana e Kosovës vetëm gjatë këtij viti, në krahasim me vitin e kaluar, ka rritur të hyrat e përgjithshme për afër 2 %, pra kjo nuk do të ishte e mundur nëse kontrabanda do të rritej.

Nga kjo është e qartë se trendi i kontrabandimit është zvogëluar”, ka deklaruar Stavileci.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)