Dogana dhe ATK në janar mbledhin 86,5 milionë euro
Prishtinë, 2 shkurt - Gjatë muajit janar Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës buxhetit të shtetit i ka sjellë të hyra dukshëm më shumë se para një vitit. Që të dyja, gjatë këtij muaji, kanë kontribuar me 79,6 milionë euro, ose 63,2 për qind më shumë se një vit më parë.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë dhe Financave përmes një njoftimi për media sipas se ciles duke llogaritur edhe të hyrat e tjera në nivel qendror dhe lokal, atëherë del se buxheti gjithsejtë ka arkëtuar 86,5 milionë euro, ose 47 për qind më shumë se në janarin e vitit të kaluar.
"Me këto zhvillime, vërehet se ATK-ja dhe Dogana për sivjet kanë parashtruar objektiva mjaft të lartë, me përmbushjen e të cilave Qeveria e Kosovës do të ketë mundësi të përballoj peshën e shpenzimeve, qoftë për paga, apo për investime kapitale", thuhet me tutje në njoftim.
Doganat në janar kanë arkëtuar 46,5 milionë euro, krahasuar me afër 31 milionë euro sa vjelën një vit më parë, apo të hyrat u rritën 50,2 për qind. Ndërkaq, ATK-ja me 33 milionë euro të arkëtuara, nivelin e janarit të vitit të kaluar e ka tejkaluar 89,1 për qind.
Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve sipas MEF-it gjendja është pak më e qetë. Në total janë paguar 36,8 milionë euro, krahasuar me 19,1 milionë euro sa ishin në janarin e vjetëm.
"Gjatë këtij muaji nuk ka pasur pagesa për rroga, kurse peshën më të madhe e kanë investimet kapitale, për të cilat janë paguar 20,8 milionë euro, kurse subvencionet dhe transferet kanë qenë 11,6 milionë euro, apo 31 për qind më pak se para një viti."
Rritja e të hyrave me një përqindje kaq të lartë sipas MEF-it vjen si rezultat i angazhimeve të ATK-së dhe të Doganës, në luftën kundër ekonomisë informale dhe identifikimin tatimpaguesve të mëshefur.