Dogana dhe ATK mbledhin 835 milionë euro
Prishtinë, 30 nëntor - Në buxhet, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës deri më 30 nëntor të vitit 2010 kanë kontribuar më shumë se gjatë tërë vitit 2009, njoftojnë drejtuesit e këtyre organizatave buxhetore.
Që të dyja, gjatë kësaj periudhe kanë vjelë mbi 835 milionë e 531 mijë euro, ose 2,4 për qind më shumë se gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit 2009.
Dogana e Kosovës deri në fund të nëntorit ka vjelë 632 milionë e 384 mijë euro, përderisa vjet deri më 31 dhjetor ka kontribuar me 634 milionë e 146 mijë euro.
Përmes Administratës Tatimore të Kosovës për njëmbëdhjetë muajt e sivjetmë në buxhet janë arkëtuar 203 milionë e 147 mijë euro, kurse gjatë tërë vitit 2009 ka vjelë 181 milionë e 659 mijë euro.
Sipas këtyre ecurive, pritet që deri në fund të vitit 2010 këto dy agjenci në arkën e shtetit të sjellin 10 për qind më shumë të hyra se vitin e kaluar.
Rritja ka ardhur falë zgjerimit të bazës tatimore, kontrollit më të kujdesshëm dhe punës së shtuar në terren.
Po ashtu, këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me ndryshimet e politikave fiskale të iniciuara nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave dhe të miratuara nga Qeveria e Kuvendi.
Që nga janari i vitit 2010 janë zvogëluar disa norma tatimore dhe Kosova tash është një ndër vendet me taksa e tatime më të favorshme në rajon.