20 Nëntor 2024

Dogana dhe ATK mbledhin 572 milionë euro

Prishtinë, 22 korrik - Dy institucionet kryesore të mbushjes së buxhetit të Kosovës, për pjesën e parë të vitit 2013, kanë kaluar parashikimet që i kanë pasur në fillim të vitit.

Dogana e Kosovës ka mbledhur 372 milionë euro, kurse Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë pjesës së parë të vitit 2013 ka mbledhur mbi 200 milionë euro.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, ka deklaruar se gjatë pjesës së parë të këtij viti Dogana e Kosovës ka mbledhur 372 milionë euro. “Janë të hyra të grumbulluara përafërsisht si në vitin e kaluar. Por, në pjesën e dytë të vitit presim të hyra më të mëdha në raport me pjesën e parë të vitit. Gjithmonë është edhe efekti sezonal ai i cili ndikon tek të hyrat e Doganës”, ka thënë ai. Sipas tij, deri më 11 korrik Dogana e Kosovës ka grumbulluar 402 milionë euro.

“Është një rritje prej 4.10-përqindësh më shumë se në vitin e kaluar. Deri në fund të vitit pritet të arrijmë 8 për qind më shumë se në vitin e kaluar”, ka potencuar ai, duke shtuar se trendët aktualë janë shumë të mirë dhe pozitivë. Po punojmë të arrijmë të mbledhim 915 milionë euro, aq sa është plani buxhetor i Doganës së Kosovës për këtë vit.

Edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë pjesës së parë të vitit 2013 ka mbledhur mbi 200 milionë euro që janë të hyra të ATK-së nga tatimet si dhe pagesat e Trustit Pensional të Kosovës. Nga të hyrat e tatimeve ATK-ja ka mbledhur mbi 150 milionë euro, kurse të Trustit Pensional mbi 55 milionë euro.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, ka deklaruar për gazetën se të mbledhurat janë 3.2 për qind më shumë se objektivat e planifikuara dhe rreth 10 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë gjashtëmujorit të këtij viti është duke i realizuar të gjitha planet të cilat janë paraparë edhe nga buxheti i Kosovës dhe nga objektivat e planifikimit të ATK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, shprehur në shifra, tani janë 3.2 për qind më shumë se objektivat e planifikuara dhe rreth 10 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“ATK-ja është duke performuar në kuadër të një dinamike të planifikimit të viteve të fundit. Mesatarisht dyfish deri në pesë fish kemi rritje në krahasim me shkallën e rritjes së GDP-së”, ka pohuar ai. Sipas tij, në vlera nominale, kemi grumbulluar rreth 150 milionë, plus 55 milionë të Trustit Pensional.

“Pra, kemi mbi 200 milionë inkasime gjatë kësaj periudhe të vitit 2013”, ka theksuar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)