Dogana autorizon edhe një kompani si operator ekonomik
Prishtinë, 4 maj - Sot Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës zt. Agron Llugaliu ka ndarë certifikatën e radhës për operatorët e autorizuar ekonomik (AEO), për kompaninë kosovare prodhuese "Ventius International” " LLC nga Gjakova.
Me këtë rast, kjo kompani ka përmbushur në përpikëri standardet më të larta të parapara me legjislacionin doganor dhe nga lehtësirat e veçanta që lidhen me kontrollet doganore për mbrojtjen dhe sigurinë, në kuadër të programit të OEA.
Kompania Ventius International LLC është një nga eksportuesit më të rëndësishëm në Kosovë dhe ka dëshmuar se ka ngritur kapacitetet bashkëkohore në fushën e sigurisë në zinxhirin furnizues.
Krahas shumë lehtësirave tjera që ka ofruar Dogana e Kosovës së fundi, ofrimi i një autorizimi të ri shton vlerat në fondin e lehtësirave, gjë që ndihmojnë në përmirësimin e efikasitetit të operacioneve tregtare dhe prodhuese, sidomos tek eksportuesit e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nënkupton krijimin e një ambienti më të favorshëm për prodhuesit, gjë që do të ndikoj edhe në tërheqjen e investimeve të huaja, krahas lehtësirave tjera dhe përparësive që ofrojnë institucionet përkatëse dhe ekonomia e Kosovës në përgjithësi.
Një OAE mund të përkufizohet si një operator ekonomik i cili konsiderohet i besueshëm, në kontekstin e procedurave doganore të tij dhe për këtë arsye ka të drejtë të gëzojë përfitime të caktuara në të gjithë Kosovën. Programi OAE është i hapur për të gjithë operatorët ekonomikë, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla , të mesme dhe ndërmarrjet e mëdha dhe pa marrë parasysh rolin e tyre në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.