06 Nëntor 2024

Djali i zëvendësministrit të AAK-së hetohet për shpëlarje parash

Prishtinë, 24 korrik - Art Gashi, djali i zëvendësministrit të Financave, Fatmir Gashit, së bashku me pesë zyrtarë tjerë të kompanisë së sigurimeve “Eurosig”, po hetohen nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nën dyshimet për shpëlarje parash.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore dhe janë pjesë e një aksioni hetimor të zgjeruar në tregun e sigurimeve.

Gashi, së bashku me pesë zyrtarët tjerë të “Eurosig”, Muhamet Boja, Shkelzen Fetiu, Korab Lluka dhe Adrian Batusha, dyshohen për manipulime me rastin e shitjes së sigurimit për vetura. Ata dyshohen për hapjen e bizneseve fiktive, në llogarit e të cilave janë deponuar shuma të majme parash, të cilat më vonë janë përdorur për aktivitete të dyshimta në treg.

Dyshohet se me këto para, agjentët e kompanisë e kanë shitur sigurimin për vetura tek klientët me çmim më të lirë sesa është e përcaktuar me tarifat e BQK-së, të cilat për këtë lloj sigurimi janë fikse. Krejt kjo duke e shkel konkurrencën lojale në treg.

Hetimet janë duke u kryer për periudhën 2013-2015.

ORAinfo ka siguruar një shkresë të lëshuar nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së, të datës 30.03.2017, në të cilin konfirmohen këto hetime.

Për ORAinfo, hetimet i kanë konfirmuar edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës, por pa dhënë shumë detaje rreth ecurisë së zhvillimit të tyre.

“Bazuar në nenin 84, Ligji Nr. 03/L-222, “Konfidencialiteti i informatave tatimore”, mendoj se nuk mund të japim përgjigje në pyetjen e gazetarit, pasi që janë konkrete për subjektin (nuk janë të përgjithshme) dhe aq më shumë kur këto hetime janë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë”, ka thënë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në ATK.

Emrat e bizneseve të dyshimta

Në dokumentin e ATK- së figurojnë emrat e pesë bizneseve, përmes të cilave dyshohet se “Eurosig” kreu aktivitete të dyshimta. Ato janë: “Qëndrimi Sh.p.k”, Vali 2 Sh.p.k”, “Alesia Sh.p.k”, “Blendi Sh.p.k”, “Dedi-Instal”. Të gjitha këto biznese janë aktive.

“Për bizneset e cekura më lartë, kërkojmë dokumentacionin si në vijim: Faturat e blerjes nga Eurosig SH.A nga bizneset e lartëcekura s ëbashku me fletëpagesat e tyre. Kontratat (marrëveshjet) e bashkëpunimit afarist me këto biznese. Kartelat e blerjes për këto biznese veç e veç”, thuhet në shkresën e ATK-së drejtuar kompanisë “Eurosig”.

Në të njëjtin dokument, ATK i kërkon kompanisë edhe kontratat e e punës për pesë të dyshuarit.

“Muhamet Boja, Shkelzen Fetiu, Korab Lluka, Art Gashi, Adrian Batusha. Për personat e poshtëshenuar, kërkojmë kontratat e punës në mes punëtorëve dhe biznesit prej vitit 2013 e deri tani”, thuhet në dokument.

Gashi aktualisht nuk është pjesë e “Eurosig”, në të cilën kishte mbajtur pozitën shef i stafit. Tani ai është drejtor ekzekutiv në një kompani tjetër të sigurimeve, përkatësisht në “Insig”.

ORAinfo ka kontaktuar me Gashin lidhur me këto pretendime. Nuk është përgjigjur në pyetjet e drejtuara përkundër insistimit të gazetës.

“Eurosig” nën administrim të BQK-së

Banka Qendrore e Kosovës në bazë të ligjit është rregullator i tregut të sigurimeve, por përkundër kësaj zyrtarë të këtij institucioni i kanë thënë gazetës se nuk janë në dijeni nëse janë duke u zhvilluar hetime nga ana e ATK-së.

Ata vetëm e kanë konfirmuar se “Eurosig” për momentin është nën administrim të BQK-së, për shkak të telasheve financiare në të cilat kishte kaluar kompania.

“Kompania e sigurimeve “Eurosig” për shkak të ndryshimeve ligjore dhe rritjes së kërkesave kundrejt sektorit të sigurimeve, sipas regjimit të Solvencës 1 të kërkuar nga Ligji për Sigurimet, nuk ka arritur të sigurojë pajtueshmëri të plotë me këto kërkesa. Bazuar në këtë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kompetencave ligjore, përkatësisht Ligjit për Sigurime, me qëllim që të rikthejë siguruesin në një situatë financiare të qëndrueshme e ka vendosur kompaninë nën administrimin e përkohshëm”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar “Eurosig” ka afaruar me rezultat pozitiv. Fitimet e kompanisë gjatë vitit 2017 ishin në shumë rreth 1.3 milionë euro, derisa rezultat pozitiv është shënuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti prej 161 mijë euro.

“Megjithatë, bazuar në kornizën ligjore në fuqi, kompania do të mbetet nën administrim, deri në rikthimin e situatës së qëndrueshme financiare”, ka shtuar Ahmeti. /ORAinfo/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)