Dita e Tokës e gjen Prishtinën me projekte gjelbëruese
Prishtinë, 22 prill - Më 22 prill, duke shënuar Ditën e Tokës, Kryetari i Komunës së Prishtinës pati një mori aktivitetesh gjatë ditës, bashkë me kompanitë dhe institucionet tjera komunale.
Aktiviteti i parë ishte në Shkollën e Gjelbër, shkollë kjo që sot shënon edhe 3 vjetorin e hapjes. Nxënësit e asaj shkolle kishin përgatitur ushtrime të ndryshme nga të gjitha lëndët mësimore, nëpër kabinetet e tyre, të cilat i prezantuan para të ftuarve.
Në përfundim të vizitës, Kryetari i Komunës së Prishtinës së bashku me të pranishmit e tjerë mbollën fidane në hapësirat e gjelbra të kësaj shkolle.
Në sheshin kryesor të qytetit, Drejtoria e Shërbimeve Publike hapi sot festivalin e luleve, ku do të marrin pjesë për tri ditë me radhë kultivues vendorë të luleve nga e gjithë Republika e Kosovës.
Tek hapësira përballë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Ndërmarrja publike Hortikultura nën angazhimin e Komunës së Prishtinës për gjelbërimin e hapësirave publike ka filluar punën për kthimin e kësaj hapësire në një zonë të gjelbëruar.
Më herët në këtë zonë qëndronin veturat për bartjen e kufomave. Në mes të tjerash punëtorët sot në atë pjesë kanë mbjellë edhe 15 pisha vendore Hormoç, që janë kultivuar për më shumë se 8 vite në lulishtet publike të Hortikulturës.
Gjatë ditës së sotme, Ndërmarrja publike Hortikultura, bashkë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike do ti informojnë institucionet parashkollore dhe shkollat fillore se mund të furnizohen me lule nga lulishtja e kësaj ndërmarrjeje.
I bëjmë thirrje qytetarëve të Prishtinës që t\'i ruajmë këto hapësira së bashku!