Dita e Evropës bashkon bizneset nga Kosova dhe Serbia
Prishtinë, 9 maj - Bizneset nga Kosova dhe Serbia më 9 Maj - Ditën e Evropës - do të bëhen bashkë në një forum biznesi, i cili do të mbahet në hotel Emerald në Prishtinë. Në takim do të marrin pjesë rreth dhjetëra biznesmenë nga Serbia, të cilëve do tu prijë kryetari i Odës Ekonomike dhe të Industrisë, Marko Cadez.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se mbajtja e këtij forumi koincidon me Ditën e Evropës. Oda Ekonomike e Kosovës ka synim ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit të bizneseve nga të gjitha vendet. Edhe me bizneset nga Serbia synojmë të kemi bashkëpunim, i cili do të kontribuojë të ulen tensionet dhe të kemi begati për qytetarët e të dyjave vendeve, ka thënë Gërxhaliu për gazetën Epoka e re.
Sipas tij, vizita, e cila do të realizohet të shtunën nga ana e komunitetit të biznesit nga Serbia, është e para e këtij lloji.
Me këtë vizitë mëtohet të krijohet një botëkuptim i ri për Kosovën. Në këtë vizitë do të jetë pjesëmarrëse elita e biznesit të Serbisë, e cila është pjesë e Odës Ekonomike dhe Industrisë së Serbisë. Këto biznese nuk veprojnë vetëm në Serbi, por edhe në vendet evropiane dhe më gjerë. Pra, kjo është një mundësi që të ngremë ura të reja bashkëpunuese ndërmjet bizneseve nga Serbia dhe Kosova, ka thënë ai, duke mos e përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të realizohet edhe një vizitë e karakterit të tillë në Beograd me biznesmenë nga Kosova.
Ne jemi për bashkëpunime, sepse nuk dëshirojmë të kemi vija ndarëse. Edhe takimi, i cili do të mbahet të shtunën, ka karakter të bashkëpunimit, ka theksuar ai. Gërxhaliu ka bërë me dije se takimin biznesor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e mbështet Ambasada holandeze në Prishtinë dhe në të do të marrin pjesë mbi 40 përfaqësues të bizneseve nga Kosova dhe Serbia.