Diskutohet për ndryshimin e Udhëzimit për arkat Fiskale
Prishtinë, 11 shkurt - Ministria e Financave ka diskutuar me përfaqësuesit e bizneseve për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale.
Plotësimi dhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, është bere me qëllimin që të krijohen mundësi më të mëdha për tatimpaguesit në përzgjedhjen e pajisjeve për menaxhimin e shitjeve të tyre, me çmime konkurruese, duke mos cenuar kualitetin dhe sigurinë e pajisjeve, tha Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në takim me Odat Ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale.
Sipas Ministrit Hoti qëllimi është që rezultatet e fiskalizimit të ruhen, të krijohen mundësi me të mira që ngecjen e deritashme në fiskalizimin e bizneseve të pafiskalizuara ta përshpejtojmë dhe të ulim kostot e tatimpaguesve te fiskalizuar, si dhe të bëhet liberalizimi i tregut për arkat fiskale.
Gjithashtu përmes këtij Udhëzimi dëshirojmë që të identifikojmë edhe tatimpaguesit të cilët nuk do ti nënshtrohen fiskalizimit me PEF, ku janë përfshirë kompanitë publike tw cilat faturojnë shërbimet e tyre në bazë të matësve të veçantë (orët matëse të harxhimit të ujit, rrymës, ngrohjes, etj.), ose ndonjë mënyrë tjetër e faturimit, p.sh. kompanitë e menaxhimit të mbeturinave, etj. si dhe Tatimpaguesit që ushtrojnë ndonjë veprimtari në cilësi të zejtareve (si qeleshepunues, poçar, etj.) dhe ata që kanë qarkullim të vogël.
Kategoria e tillë e tatimpaguesve do të varet nga interesi nacional për ruajtjen e zejeve të veçanta të cilat nuk mund të çrregullojnë tregun me prodhimet e tyre, tha Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Për fiskalizimin e plotë të tatimpaguesve do të gjenden edhe forma të stimulimit dhe mbështetjes se procesit edhe me fonde të veçanta, përfshi ofrimin e PEF-ve me të lirë për kategori të veçanta, mirëmbajtjen dhe servisimin e tyre, transmetimin e të dhënave në sistemin e ATK-së, etj.
Gjithashtu në kuadër të këtij drafti është propozuar edhe një Nen i veçantë që ka të bëjë me nxitjen apo motivimin e konsumatorëve për të marr kupon fiskal, gjë e cila ka mbet të diskutohet gjatë takimeve të përbashkëta me palët e interesit.