Disa banka kanë përfitime nga falimentimi i Greqisë
SHBA, 27 shkurt - Disa nga bankat që deri më sot e kanë ndihmuar Greqinë të fshehë borxhet e veta të stërmëdha, mund të dalin të fituara në rast se ky vend falimenton dhe ka gjasa që po ndihmojnë në përkeqësimin e situatës, shkroi dje The New York Times.
Në një situatë të ngjashme me të cilën u përball American International Group në tetor 2008, policat e sigurimit të shitura si garanci për borxhet e emetuara nga Greqia po ia vështirësojnë jetën Athinës dhe po ia bëjnë më të vështirë aksesin në tregjet ndërkombëtare të parasë.
Policat e Sigurimit Kundrejt Falimentit u shiten investitorëve të ndryshëm dhe premtojnë që në rast se një kompani apo një vend falimenton, emetuesi do ta shlyejë kredinë në vend të borxhmarrësit.
Por në një situatë të tillë, sa më e rrezikshme të bëhet situata në Greqi, aq më e shtrenjtë do të bëhet polica e sigurimit, gjë që i bën mbajtësit e policave më shumë të interesuar në përkeqësimin e situatës, se sa në përmirësimin e saj.
Ky produkt është njësoj sikur të blesh një policë sigurimi nga zjarri për shtëpinë e komshiut. Interesi yt është që shtëpia e komshiut të digjet dhe polica të shitet edhe më shtrenjtë nga sa është blerë, komenton Philip Gisdakis, kreu i strategjisë së kreditimit te banka UniCredit në Mynih.
Gjatë javëve të fundit, ndërsa kriza e borxhit grek u përkeqësua, duke kërcënuar edhe stabilitetin e euros, roli i bankave më të mëdha të botës, si Goldman Sachs, në fshehjen e nivelit real të borxhit u kritikua nga shumë udhëheqës.
Por kohë përpara se sa kriza greke të shpërthente, një kompani e panjohur, e mbështetur nga Goldman, JP Morgan Chase dhe disa dhjetëra banka të tjera të rëndësishme, patën krijuar një produkt që u lejonte investitorëve të vinin baste mbi faktin nëse Greqia apo shtete të tjera europiane do të falimentonin. Kompania e njohur si Markit Group i Londrës, hodhi në treg produktin e vet iTraxx SovX, produkt që bazohet te policat që mbulojnë rrezikun e falimentit.
Kompania u lejoi investitorëve të vendosnin baste kundër Greqisë edhe pak javë para se problemi të bëhej i njohur. Disa tregtarë thonë se kjo është kthyer në një spirale për poshtë. Bankat blejnë polica sigurimi kundër falimentit, gjë që rrit koston e sigurimit të borxhit të Greqisë. Investitorët e zakonshëm alarmohen nga ky zhvillim dhe heqin dorë nga blerja e borxheve të Greqisë, gjë që e bën edhe më të vështirë marrjen e borxheve nga Greqia dhe rrit çmimet e sigurimit mbi falimentin.
Mes investitorëve ka një debat të ashpër mbi shkaktarët e problemeve të Greqisë. Disa tregtarë thonë se siguracionet i kanë përkeqësuar punët, ndërsa të tjerët thonë se problemi real qëndron te Greqia.
Udhëheqësit europianë akuzojnë spekulantët financiarë në përgjithësi, por së fundmi, ministrja franceze e Financave akuzoi posaçërisht Siguracionet Kundrejt Falimentit, duke kërkuar mbikëqyrje më të fortë për këtë treg. Tregtia te produkti i Markit eci shumë mirë këtë vit, gjë që e rriti koston e borxhit grek. Sigurimi kundrejt falimentit i një bondi grek me vlerë 10 milionë dollarë u rrit nga 282 mijë dollarë që ishte në janar, në 400 mijë dollarë që është aktualisht.
Për shkak se investitorët filluan të largohen në masë nga borxhi grek, Athina rrezikoi vazhdimisht të mbetej pa para.
Ndërkohë, shitjet e figuracioneve te Markit u rritën në 109 miliardë dollarë në shkurt, nga vetëm 53 miliardë që ishin në janar. Bankat europiane qenë ndër blerësit më të rëndësishëm, sipas tregtarëve dhe bankierëve të intervistuar në anonimitet.
Kjo erdhi pikërisht për faktin se bankat europiane qenë më të ekspozuara ndaj rreziqeve të Greqisë, pasi kanë blerë pjesë të konsiderueshme të borxheve të këtij vendi. Siguracionet e lëshuara për borxhet e Greqisë arritën në një total prej 85 miliardë dollarësh në shkurt, nga vetëm 38 miliardë që qenë një vit më parë.
Shumë kritikë argumentojnë se Siguracionet Kundrejt Falimentit qenë shkaktarët e krizës së fundit financiare botërore dhe falimentuesit e vërtetë të Lehman Brothers. Deri kohët e fundit, askush nuk blinte siguracion për borxhet e një shteti, sepse falimenti i një shteti të tërë qe i paimagjinueshëm.
Tani situata ka ndryshuar. Por, sipas një eksperti, Siguracionet krijojnë thjesht një iluzion sigurie, pasi në rast se një shtet si Greqia falimenton, edhe kompanitë që e kanë emetuar atë figuracion do të falimentojnë bashkë me të.