Diplomatët kosovarë, milionerë
Prishtinë, 4 korrik - Më shumë se një milion euro ka arritur pasuria e Ahmet Shalës, i cili që një vit është ambasador i Kosovës në Japoni.
Pasuria e Shalës nuk është krijuar nga ndonjë biznes i tij privat, por vetëm nga puna që ai ka bërë në fillim si drejtor në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), dhe më pas në Qeveri të Kosovës, një herë si ministër dhe tash si pjesë e bordit diplomatik të vendit tonë.
Pasuria e Shalës në vitin 2010 ishte pothuajse edhe njëherë më e vogël se ajo që ai e ka deklaruar para pak kohësh në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK).
Në vitin 2010 pasuria e patundshme e Shalës ishte vetëm 380 mijë euro, ndërkaq sot pasuria e tij e patundshme është më e madhe se një milionë euro edhe pse prej këtij viti e deri në kohën kur është emëruar ambasador ai për një kohë nuk ka qenë duke punuar si dhe nuk ka deklaruar se ka në pronësi ndonjë biznes privat.
Shala në vitin 2010 pati deklaruar se në pronësi 3 troje në vlerë prej 240 mijë euro, dy banesa në vlerë prej 140 mijë euro, 10 mijë euro veturë 200 mijë euro paratë gatshme. Ndërkaq 3 vjet më vonë Shala dukshëm ka shtuar pasurinë e tij.
Ai në fund të vitit 2012 ka deklaruar se ka në pronësi disa troje në vlerë prej 690 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 245 mijë euro, shtëpi vikendi 100 mijë euro, dy makina 16 mijë euro, më shumë se 40 mijë euro para të gatshme.
Por, nuk është vetëm Shala që duke përfaqësuar Kosovës ka arritur të krijojë kapital prej miliona euro. Edhe Akan Ismaili, ambasador i Kosovës në Amerikë, është në rrethin e diplomatëve më të pasur të Kosovës. Pasuria e tij është rreth 10 milionë euro.
Diplomati Shala ka deklaruar se ka në pronësi 3 banesa në vlerë prej më shumë se 1.5 milionë euro, tri shtëpi në vlerë prej rreth 750 mijë euro, tokë 1.5 milionë euro, tri vetura në vlerë prej më shumë se 100 mijë euro, më shumë se 4 milionë euro aksione në kompanitë IPKO.
Ismaili&CO, Fundway LLC, Voxiva, si dhe më shumë se 6 milionë euro para të gatshme në llogaritë e tij brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, pasuri prej miliona euro ka deklaruar edhe Burim Qorri, i cili është sekretar i parë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri.
Ai ka deklaruar se ka në pronësi tre hektarë tokë në vlerë prej 1.5 milionë euro, 2.5 hektarë mal me vlerë prej 200 mijë euro, shtëpi 200 mijë euro, dyqan 70 mijë euro, tre vetura në vlerë prej 26 mijë euro.
Po ashtu, edhe Albert Kuçi zëvendësambasador i Kosovës në Republikën e Çekisë, ka deklaruar në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit se pasuria e tij është mbi 1 milionë euro. Kuçi ka deklaruar se ka në pronësi një banesë në vlerë prej 450 mijë euro, 3 shtëpi në vlerë prej 420 mijë euro, dy automjete në vlerë prej 80 mijë euro, si dhe 75 mijë euro para të gatshme.
I pasur, por jo si koleget e tij është edhe Naim Malaj, ambasador i Kosovës në Zvicër. Ai në fund të vitit që lamë pas ka vetëdeklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 500 mijë euro të cilën e ka përfituar në vitin 2006, si dhe një veturë në vlerë prej 24 mijë e 500 euro.
Malaj ka deklaruar se për punën që bën nga Qeveria e Kosovës merr një pagë prej 3600 euro në muaj.
Akan Ismaili 14,215,716,00 euro
Burim Qorri 1,996,000,00 euro
Ahmet Shala 1,098,300,00 euro
Albert Kuçi 1, 025,000,00 euro
Naim Malaj 524,000,00 euro
/Zëri/