17 Nëntor 2024

Diplomacia ekonomike, prioritet i politikës së jashtme të Kosovës

Prishtinë, 22 prill - Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të diplomacisë ekonomike të Kosovës, Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka filluar sot trajnimin treditor kushtuar diplomacisë ekonomike për zyrtarë dhe diplomatë të MPJ-së, të cilët janë të angazhuar me çështje ekonomike.

Duke e vlerësuar diplomacinë ekonomike si një ndër prioritet e politikës së jashtme, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Kreshnik Gashi ka theksuar se “nëpërmjet diplomacisë ekonomike në planin bilateral ne do të sigurojmë investitorët e huaj potencialë sepse vendi ynë ofron ambient të favorshëm ekonomik dhe biznesor për investime të natyrave të ndryshme nga ato më të mëdha”.

Me këtë rast sekretari Gashi ka përmendur projektet e mëdha investuese si kontrata e nënshkruar për qendrën turistike në Brezovicë dhe një varg projektesh të ngjashme në sektorët e energjisë, telekomit dhe minierave e deri te projektet më të vogla.

Duke nënvizuar se diplomacia e Kosovës qëndron mirë e pozicionuar në nivel rajonal meqë është anëtare në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare dhe ekonomike, sekretari Gashi është shprehur se “pa marrë parasysh problemet aktuale në raport me mosnjohjen nga Serbia, Kosova është anëtare e CEFTA-s dhe e cila, me gjithë vështirësitë e kohëpaskohshme, ka krijuar një zonë liberale tregtare ndërmjet shteteve të rajonit”.

Por, sekretari Gashi ka theksuar se “qëllimi ynë sigurisht është integrimi në mekanizma të tjerë evropianë, me synim final integrimin në BE”. Ai ka shtuar se “ne dëshirojmë t’i shfrytëzojmë diplomatët tanë për avancim të zhvillimit ekonomik të Kosovës nëpërmjet rolit të diplomacisë ekonomike”.

Kurse drejtori i Akademisë Diplomatike të MPJ-së, Skender Durmishi, e ka vlerësuar këtë trajnim si një mundësi të mirë për të gjithë pjesëmarrësit që t’i thellojnë njohuritë e tyre sa i përket diplomacisë ekonomike.

“Besoj se do të jetë rast i mirë që gjatë tri ditëve në vazhdim do të mësojmë dhe do të përfitojmë shumë njohuri mbi diplomacinë ekonomike, çfarë lloj diplomacie ekonomike po zbatohet aktualisht në botë, pse diplomacia ekonomike është me rëndësi të vecantë për Kosovën dhe si ta vëjmë diplomacinë ekonomike në funksion të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë drejtori Durmishi.

Për organizmin e këtij trajnimi, Durmishi ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë si dhe diplomatin gjerman Albrecht  Von der Heyden, njohës i çështjeve ekonomike.

Me këtë rast diplomati gjerman ka theksuar se “promovimi i tregtisë së jashtme dhe investimeve konsiderohet si pjesë shumë e rëndësishme e diplomacisë kosovare dhe se duhet të shikohet se çfarë lloj diplomacie ekonomike përdorin vendet e vogla për të cilat kjo diplomaci ka shumë rëndësi”.
 
Trajnimi për diplomacinë ekonomike do të zgjasë tri ditë dhe në të do të ligjërojnë edhe ambasadorë të vendeve evropiane në Kosovë si dhe  ministra të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve ekonomike të vendit. Përmes këtij trajnimi synohet që zyrtarët dhe diplomatët e MPJ-së të përfitojnë nga përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë në fushën e diplomacisë ekonomike. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)