12 Maj 2024

Dino Asanaj nuk donte të takohej me Pacollin

Prishtinë, 18 shtator - Deputeti dhe ish-anëtari i Bordit të AKP-së, Naser Osmani, thekson për “Kosova Sot” se i ndjeri, Dino Asanaj, nuk ishte i interesuar asnjëherë të bisedonte me Pacollin për rastin e “Grandit”.

Ai mohon akuzat për kërkim të mitos dhe pranon se bisedat me Pacollin i ka bërë sipas mandatit që kishte për të gjetur një zgjidhje për “Grandin”.

Naser Osmani tregon se me Pacollin është takuar disa herë dhe për këtë ka qenë i informuar edhe ish-kreu i ndjerë i Bordit të AKP-së,Dino Asanaj.

“Unë nuk kam zyrë në AKP, nuk zyrë as në Parlament, ndërsa si kryetar i grupit punues edhe si nënkryetar i AKP-së unë kam takuar njerëz në vende të tjera. Aty ku është krijuar mundësia për t’u taku, mirëpo gjithmonë takimet e mia kanë qenë vetëm në mandatin që kam pasur. Prej skadimit të mandatit tim unë nuk e kam takuar asnjë njeri”, tha Osmani.

Ndërsa, në pyetjen se çfarë di Osmani për implikimin e zëvendësministrit të Financave, Astrit Haraqisë, biznesmenit Gazmend Abrashi dhe deputetit Ukë Rugova, ai thotë se nuk di gjë, duke hedhur poshtë sipas tij “spekulimet” për kërkimmitoje në rastin e ‘Grandit’.

“Jam I befasuar nga këto shkrime, pse emri im përmendet në këtë kontekst. Ajo çka mua më çudit është përmendja e emrit tim në këtë kombinim. Kam punuar me përkushtim dhe ndershmëri gjatë gjithë karrierës sime. Zhurma nuk më tremb e as që më shqetëson, në këtë histori unë e di që nuk është një gabim i medies, por janë njerëz apo grupe të caktuara, të cilëve u pëlqen të mjegullojnë të vërtetën”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se, sipas të gjitha gjasave, shkas është bërë koha kur do të zgjedhën anëtarët e rinj të Bordit të AKP-së dhe konsideron se mund të pengohet të rizgjidhet në bord.

Ai ka thënë se ka biseduar me të ndjerin, Asanaj, lidhur me “Grandin”. “E vërteta është që këtë e kemi biseduar shumë herë, jo vetëm në mbledhje, që ka qenë rend i ditës si pikë e veçantë. Asanaj ka qenë shumë i shqetësuar, sepse nuk ka besuar asnjëherë në një qëndrueshmëri të një marrëveshje të re ndërmjet tre aksionarëve: Berisha, Pacolli dhe Ejupi. Kjo është arsyeja që Asanaj asnjëherë nuk e ka pranuar në bisedë Pacollin”, theksoi Osmani.

Ai ka treguar se ka insistuar që zgjedhja të bëhet në mënyrë praktike dhe ka angazhuar dy herë konsulentë ndërkombëtarë.

“Ne nuk kemi guxuar të ngutemi, për arsye se çështja ka mundur të na dërgojë deri në arbitrazh, në Gjykatën Ndërkombëtare. Dhe, kjo do të ishte një zvarritje e një procedure të zgjatur dhe “Grandi” do të mbetej ashtu siç është edhe sot”, tha Osmani.

Ish-anëtari i Bordit të AKP-së ka qenë i fundit i cili ka biseduar me Dino Asanajn, para se ky i fundit të gjendet i therur me thikë. Osmani ka thënë se nuk ka biseduar atë ditë për “Grandin”.

“Çdo ditë kam pirë kafe me Asanajn dhe nuk ka qenë atë ditë temë diskutimi ‘Grandi’”, ka thënë Osmani. Ai thekson se asnjëherë Asanaj nuk ka pasur vullnet të bisedojë me Pacollin.

“Mirëpo, gjithmonë ka qenë i informuar për të gjitha bisedat e mia, të cilat i kam bërë me Pacollin dhe Berishën lidhur me ‘Grandin’”, u shpreh Osmani.

Ai, po ashtu ka thënë se nuk ka ide për arsyet e vetëvrasjes së kryetarit të bordit. I pyetur se a është marrë në pyetje nga Prokuroria, ai ka thënë se nuk është marrë në pyetje. /

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)