Dijsselbloem: Londra jo më qendra financiare e Evropës
Holandezët nëpërmjet ministrit të tyre të financave kanë mbajtur një qëndrim të ashpër duke kërkuar që Londra të mos jetë më qendra kryesore financiare e eurozonës.
Diskutimet vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të zbatojë politika financiare që i japin përgjigje euroskepticizmit, duke stimuluar punësimin dhe rritjen ekonomike të vendeve anëtare.
Presidenti i Eurogrupit dhe Ministri i Financave të Holandës, Jeroen Dijsselbloem deklaroi se Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë më që Londra të jetë qendra kryesore financiare e eurozonës.
Eurogrupi është forumi i ministrave të financave të vendeve të eurozonës. Duke folur sot në parlamentin evropian, ai theksoi se BE-ja duhet të mbajë një qëndrim të fortë ndaj Londrës.
Ne nuk mund ë lejojmë që qendra kryesore finaciare për Evropën dhe eurozonën të jenë jashtë Evropës dhe të ndjekë rrugën e vet përsa i takon rregullave dhe kërkesave. Thjesht nuk mund ta lejojmë këtë që të ndodhë. Duhet të mbajmë një qëndrim të fortë për këtë. Nuk ka asnjë alternativë tjetër, u shpreh sot zoti Dijsselbloem duke dëshmuar në një prej komisioneve të parlamentit evropian.
Ministri holandez i financave tha se nuk pret që Britania pas largimit të zbatojë rregullat e Bashkimit Evropian.
Nuk mund të lejojmë një vend të tretë të ketë qasje të plotë në tregjet financiare evropiane, nëse në të njëjtën kohë ne i lejojmë këtij vendi tu shmanget rregullave tona për standartet kryesore, kërkesat, mbrotjes së konsumatorit e të tjera. Nuk mendoj se kjo është e mundur. Ata po shohin për një model norvegjez për shërbimet financiare, por kjo nuk ka kuptim në rastin e Britanisë, pasi ata vendosën të dalin nga BE-ja pikërisht për arsye sovraniteti.
Vetëm disa ditë para takimit të ministrave të financave të eurozonës, zoti Dijsselbloem u bëri thirrje udhëheqësve europianë të jenë realistë me objektivat fiskalë për Greqinë pas vitit 2018, kur përfundon edhe programi i ndihmës financiare për këtë vend.
Komentet e tij bëhen në një kohë kur Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, propozoi në fillim të nëntorit një politikë më të lirë buxhetore për 19 vendet e euro zonës.
Kjo sygjeron që deficiti buxhetor të ngrihet nga norma e tanishme prej 3% në 3.5% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto për vitin që vjen, si një përgjigje ndaj euroskepticizmit në rritje pas vitesh ulje të vazhdueshme ekonomike dhe papunësie.