Digjet fabrika-konsumatorët kosovar mbesin pa vaj vendor
Podujevë, 20 mars - Rafineria e fabrikës për prodhimin e vajit ushqimor Intercompany, e vetmja në Kosovë është përfshirë nga flaka rreth orës 02.00 të mëngjesit të së premtes nga e cila ka pësuar dëme rreth një milionë euro, edhe pse akoma ato nuk janë zyrtare.
Fabrika e cila ndodhet në fashtin Llugë të Podujevës, e cila ka pësuar dëme teknike të mëdha nga zjarri dhe se udhëheqësit e së cilës shqetësohen se nëse nuk ndihmohen vështirë të rimëkëmbet, ku dhe dhjetra të punësuar mund të mbesin pa punë.
Me të marr lajmin e hidhur një delagacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve i kryesuar nga Agim Shahini, kanë vizituar fabrikën, për të parë nga afër pasojat dhe mundësinë e rifunksionalizimit të saj.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se me shqetësim të madh kanë marr lajmin për zjarrin që ka shkatërruar një pjesë të fabrikës së vajit dhe dëmet e të cilit akoma nuk dihen.
Ne kemi ardhur për ti dhënë përkrahje të nevojshme në këto moment të vështira, duke u munduar që të gjenden mjete që fabrika sa më shpejt të renovohet e ti kthehet procesit të punës, tha Shahini. Sipas tij nëse fabrika nuk nisë prodhimin, dhjetra punonjës do të mbesin pa punë.
Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se pas këtij zjarri konsumatorët kosovar mbesin pa vaj vendor.
Nga ana tjetër Avni Konushefci, menaxher i fabrikës, tregoi se zjarri që ka ndodhur në orët e mëngjesit, ka shkaktuar dëme të mëdha e të cilat akoma nuk dihen, por të cilat janë qindra mijëra euro. Për të evidentuar dëmet në vend ngjarje do të dalin edhe ekspertët të cilët do të bëjnë vlerësimin.
Kjo fabrikë nuk ka pasur siguracion dhe kërkojnë nga institucionet që ti dalin në ndihmë për rifunksionalizimin e fabrikës.